Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me e Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën, tha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai foli edhe për zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet lokale të 2 qershorit, të cilat sipas tij, rrodhën më mirë sesa zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar.
Hill është pyetur nëse politika perëndimore ndaj Kosovës ishte e suksesshme duke pasur parasysh shtimin e tensioneve të herë pas hershme…
“Nuk mund të flasë për politikën perëndimore ndaj Kosovës. Mund të flasë për politikën tonë me Serbinë dhe bashkëpunimin në këto çështje. Ne e kemi inkurajuar Serbinë të mbetet e angazhuar në procesin e Brukselit dhe ajo e ka bërë këtë dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë duke paraqitur idetë e tyre për zgjidhjen e çështjeve, qoftë ajo e Bankës Postale të Kursimeve, apo çështje të tilla.
Pra, ne kemi një dialog shumë të mirë me qeverinë serbe. Kjo është çështje e vështirë sepse siç e dini Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë mospajtim thelbësor meqë Serbia nuk e njeh Kosovën, ndërsa Shtetet e Bashkuara e njohin. Por, brenda kuadrit të këtij mospajtimi, kemi bashkëpunim shumë të mirë për këtë çështje dhe do ta vazhdojmë atë”, u shpreh ai.
Ambasadori amerikan theksoi se Procesi i Brukselit është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi.
“Sërish do të flasë për atë çfarë duhet të bëjë Serbia. Ne e çmojmë faktin që kemi qenë në kontakt të ngushtë, e kuptojmë se çfarë përpiqet të bëjë, cilat janë shqetësimet dhe gjërat në të cilat mendon se mund të bëhet përparim.
Për të gjithë ne, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, është me rëndësi të mbështesim përpjekjet e ambasadorit Miroslav Lajçak, sepse është e vetmja rrugë që këto çështje që kanë rrënjë të thella në histori të zgjidhen”, u shpreh Hill.