Një short i veçantë u zhvillua sot në City Hall të Bazelit për të ndarë 31 vendet gjysmëfinaliste të ‘Eurovision 2025’ në dy netët gjysmëfinale, që do të mbahen më 13 dhe 15 maj në Bazel, Zvicër.
Shorti i ndarjes së gjysmëfinaleve u drejtua nga Jennifer Bosshard dhe Jan van Ditzhuijzen nën mbikëqyrjen e EBU-së (European Broadcasting Union).
Plot 15 vende do të performojnë në natën e parë gjysmëfinale, më 13 maj dhe 16 vende do të performojnë në natën e dytë gjysmëfinale, më 15 maj. Të gjitha 31 vendet pjesëmarrëse u ndanë në pesë grupe dhe më pas, përmes shortit, u përcaktua në cilën nga dy gjysmëfinalet dhe në cilën gjysmë (të parë ose të dytë) të performojnë. Po ashtu, një short shtesë caktoi se cilën gjysmëfinale do të votojnë vendet e mëdha (Big 5) dhe vendi pritës, Zvicra.
Zvicra, Italia dhe Spanja do të votojnë në natën e parë gjysmëfinale (13 maj). Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar do të votojnë në natën e dytë gjysmëfinale (15 maj).
Në natën e parë, vendet pjesëmarrëse u ndanë si më poshtë:
Estonia
Islanda
Polonia
Portugalia
Suedia
Ukraina
Shqipëria
Azerbajxhani
Belgjika
Kroacia
Qipro
Holanda
Norvegjia
San Marino
Gjysmëfinalja e dytë
Armenia
Australia
Austria
Greqia
Irlanda
Letonia
Lituania
Mali i Zi
Çekia
Danimarka
Finlanda
Gjeorgjia
Izraeli
Luksemburgu
Malta
Serbia
Gjithsej 37 vende do të marrin pjesë në Eurovision Song Contest 2025. Nga këto: 31 vende do të konkurrojnë në gjysmëfinale.
Vendet e mëdha (Big 5) – Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar – së bashku me Zvicrën, janë automatikisht të kualifikuara për në finalen e madhe.
Martin Osterdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovision (EBU), u shpreh: “Jemi të entuziazmuar të hapim një kapitull të ri për Eurovision në Bazel. Pas shfaqjeve të jashtëzakonshme në Malmö vitin e kaluar, Bazeli është gati të marrë stafetën dhe të ofrojë një garë të jashtëzakonshme. Eurovision 2025 do të prezantojë më të mirën e muzikës ndërkombëtare dhe krijimtarisë, me një prekje zvicerane”.
Reto Peritz dhe Moritz Stadler, producentët ekzekutivë të Eurovision 2025, shtuan: “Eurovision është rikthyer në vendin e tij të lindjes. Me përfundimin e dorëzimit nga Malmö në Bazel dhe shortit të gjysmëfinaleve, kemi shënuar një moment të rëndësishëm dhe mezi presim të mirëpresim mysafirë nga e gjithë bota”.
‘Eurovision 2025’ do të mbahet më 13, 15 dhe 17 maj në St. Jakobshalle të Bazelit, Zvicër.
Shqipëria, që do të performojë në gjysmëfinalen e parë, përfaqësohet nga Grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”. /Telegrafi/