Site icon Telegrafi

Hidhet poshtë aktakuza ndaj deputetit Zyba dhe të tjerëve për pjesëmarrje në protestat e vitit 2015

Gjykata Themelore në  Prishtinë, dega në Gllogoc, e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Salih Zybës dhe Ngadhënjim Haxhosajtpër veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe Leotrim Pacollit për “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Vendimi është nxjerrë për shkak të  arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale. Ndërsa, procedura penale në këtë rast do të vazhdojë ndaj 21 të akuzuarve të tjerë për pjesëmarrje në turmë që ngarkohen se kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Sipas aktit akuzues, të akuzuarit Ngadhënjim Haxhosaj dhe Salih Zyba me datë 27 janar të vitit 2015, ngarkoheshin se secili veç e veç kanë sulmuar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare,  për të cilën vepër është paraparë dënimi me burg prej tre muaj e deri në tre vite, ndërsa i akuzuari Leotrim Pacolli se ka Penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare vepër e cila është po ashtu e dënueshme me burg prej tre muaj e deri në tre vite, me rastin e protestave të vitit  2015.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se deri tek parashkrimi absolut i ndjekjes penale në këtë rast erdhi duke marrë parasysh faktin se kanë kaluar gjashtë vite nga koha kur është kryer vepra penale.

“Duke pasur parasysh se afati i parashkrimit fillon nga dita kur është kryer vepra penale, rrjedhë se që nga koha kur të pandehurit Ngadhënjim Haxhosaj, Salih Zyba dhe Leotrim Pacolli ngarkohen me aktakuzë të e kenë kryer veprën penale, kanë kaluar gjashtë vite, çka do të thotë se në rastin konkret ndaj të pandehurve Haxhosaj, Zyba dhe Pacolli, për veprat penale që akuzohen ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, thuhet në  vendimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, për veprat penale të sulmit ndaj personit zyrtar nga neni 140 par.1 dhe asaj të pengimit ndaj personave zyrtar neni 409 par.1 nga Kodi i Vjetër Penal, parashihet dënimi me burgim prej tre muaj deri në  tri vite.

Në  rrethana të  tilla, gjykata ka vlerësuar se neni 106.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Kodi i vjetër, ka paraparë se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar tre vite nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një vit burgim. Ndërsa sipas dispozitës së nenit 107 par.8. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, parashihet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit.

Si rezultat i kësaj, gjykata ka marrë aktvendim për hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarve për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike për kompensimin e dëmit të shkaktuar me këtë vepër penale.

 

Exit mobile version