Komuna e Gjakovës me anë të një njoftimi bën të ditur se Gjykata Themelore e Gjakovës e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj drejtorit të Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative, Armend Vokshi, duke e shpallur atë të pafajshëm nga akuza për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
“Pas mbajtjes së disa shqyrtimeve lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore e Gjakovës ka analizuar me kujdes pretendimet e të gjitha palëve dhe duke marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga Gjykata e Apelit e Kosovës, ka gjetur që i akuzuar Armend Vokshi nuk ka kryer vepër penale dhe në rastin konkret vetëm e ka kryer detyrën zyrtare të përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatën e komunës.
Siç thuhet në komunikatë, vendimi i Gjykatës Themelore të Gjakovës është cilësuar si i drejtë nga drejtori komunal për Punë të Përgjithshme Administrative Armend Vokshi, i cili ka thënë se ky është një triumf i drejtësisë mbi tentimet e kota për shantazhim dhe pengim të punës së komunës së Gjakovës, përkatësisht qeverisjes komunale dhe kryetares së komunës Mimoza Kusari-Lila. /KP/