Telegrafi

Hidhet në treg eurobondi

"I udhëhequr nga dy nga bankat më të mëdha dhe më prestigjioze në botë për transaksione të emetimit të titujve sovrane, JP Morgan dhe Deutsche Bank, ankandi i eurobondit tashmë ka filluar dhe pritet të përfundojë brenda kësaj jave", theksohet në njoftimin zyrtarë të ministrisë së Financave. Ministria thekson se asnjë pjesë e eurobondit nuk do të shkojë për të financuar deficitin buxhetor të këtij viti.

Pjesa më e madhe e tij mendohet të përdoret për të shlyer para kohe kredinë sindikale, të marrë në maj të vitit të shkuar, ndërsa sasia e mbetur do të shkojë për të zëvendësuar një pjesë të huamarrjes së brendshme afatshkurtër të marrë në tregun e brendshëm.

Sipas agjencisë ‘REUTERS’, që citon një nga menaxherët e huaj të eurobondi shqiptar, synimi i qeverisë sonë është të shesë eurobondet me një interes rreth 7.5 për qind. Ndërkohë, ligji lejon shitjen deri në kufirin maksimal të 8.5 për qind. Mali i Zi, i cili shfrytëzoi gjithashtu situatën pozitive, të krijuar në tregje pas largimit në kohë të krizës greke, po e shet eurobondin e vet prej 200 milionë eurosh me interes 7.48 për qind.

Sipas agjencisë së lajmeve REUTERS, eurobondi shqiptar vlerësohet nga kompania e njohur ndërkombëtare "Moody’s" me notën "B1". Poshtë nivelit BBB-, investimi konsiderohet si spekulativ", në gjuhën e financave ndërkombëtare. Në fakt, " B1 " si vlerësim qëndron tri shkallë më poshtë se sa nota " BBB-".

Kjo nuk do të thotë se eurobondi nuk do të gjejë treg. Përkundrazi, në tregjet financiare ka gjithnjë kapitale të lira. Problemi në këtë rast është ai se norma e interesit, që detyrohet të pranojë shteti emetues, është detyrimisht shumë më e lartë se vendet e sigurta, që dalin në treg me 1 për qind dhe më pak interes vjetor. /Telegrafi/