Telegrafi

Incident gjatë koncertit të Goran Bregovicit në Korçë, hidhen tymuese

(Foto: Screenshot)

Janë hedhur tymuese gjatë performancës së Goran Bregovicit në Festën e Birrës në Korçë.

Siç kanë raportuar mediat shqiptare, gazi është hedhur në një zonë ku ndodheshin spektatorët duke krijuar pak panik dhe disa prej tyre kanë nisur të largohen.

Ndërkohë, në disa video që kanë qarkulluar pjesëmarrësit shihen duke fërkuar sytë për shkak të djegies që i shkakton tymi.

(Foto: Syri.net)

Nuk kanë munguar edhe ata që kanë pyetur policinë për kontrollin që i kanë bërë të gjithë personave të pranishëm.

Në anën tjetër, Top Channel ka raportuar se gazi është hedhur nga një i ri dhe se i dyshuari është kapur nga policia.

Në anën tjetër, syri.net bën të ditur se policia ka kryer kontroll të imtësishëm dhe ka shoqëruar disa persona, gjegjësisht tetë persona.

Gazi tymues është hedhur dy herë gjatë koncertit, ashtu që shumë pjesëmarrës e kanë braktisur evenimentin. Pavarësisht kësaj situate, performanca e Bregovic nuk është ndërprerë.

Më herët ishte raportuar se ishin marrë masa të rrepta sigurie, me mbi 200 forca policie të pranishëm.

Pjesa më e madhe kishin rrethuar terminalin, ndërkohë që pjesa tjetër ishte vendosur në bulevardet kryesore të qytetit.

Që në hyrje të terminalit thuhej se kishte kontrolle të rrepta për të gjithë të interesuarit për të ndjekur performancën e këngëtarit.

Kontrollet arrinin deri atje sa nuk lejohen monedha, shishe apo sende të tjera metalike, ndaj mbetet e paqartë si i ka shpëtuar policisë rasti i personit që hodhi gaz lotsjellës.

(Foto: Panorama.al)