Site icon Telegrafi

Hidhen helme në kanalin e Darëzezës, dëmtohet rëndë fauna

Policia dhe banorë të fshatit thaë se persona ende të paidentifikuar kanë hedhur sasi të mëdha helmi Teodan apo Ure në kanalin kryesor që përshkon këtë fshat. Për pasojë, sasi të mëdha peshku kanë ngordhur dhe kanë dalë në sipërfaqe të ujit. Ky kanal derdhet në hidrovor e më pas në detin Adriatik. "Uji i kanalit duket me sy të lirë që është i ndotur. Helmi i hedhur në kanal ka dëmtuar rëndë faunën e tij", thanë specialistët.

Ndërkaq, mësohet se kuintalë të tëra peshku të llojeve të ndryshme janë marrë nga banorë të zonës për t’u tregtuar edhe për t’u përdorur për gatim. Të alarmuar, specialistët e Bujqësisë në Fier paralajmëruan se përdorimi i tij për konsum sjell pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorit. Ata pohojnë se po marrin masa për bllokimin e sasive të peshkut që mund të gjejnë në tregje të ndryshme në Fier.

Nga ana tjetër, ndotja paraqet rrezik dhe për bagëtinë që kullosin apo pinë ujë në kanalin e Darëzezës. Kryekomunari i Ndërmenasit, Viktor Fasko po bashkëpunon me policinë për identifikimin e personave që helmuan kanalin e Darëzezës dhe vënien e tyre para Drejtësisë.
 

Exit mobile version