Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka folur për projektet e autostradës së Gjilanit dhe asaj Dollc-Gjakovë.
Aliu në konferencën pas mbledhjes së qeverisë tha se për këto dy projekte heziton të flas për shkak të pengesave të vazhdueshme.
“Autostrada e Gjilanit dhe rruga Dollc-Gjakovë janë dy projekte që hezitoj me fol sepse kemi pengesa të vazhdueshme dhe zvarritje të vazhdueshme të këtyre dy projekteve.
Janë projekte të trashëguara me probleme të mëhershme por ka progres të madh sidomos në autostradën e Gjilanit krahasuar me atë të Gjakovës”, tha Aliu.
Ai shtoi se pavarësisht progresit nuk mund të jap datë se kur do të përfundoj autostrada e Gjilanit.
“Një mal i madh që ka qenë në mes të autostradës është gërmua plotësisht, ka progres por nuk mund të ju jap datë për shkak se kur është dhënë asokohe data që do të kryhet vitin e kaluar ka qenë një gabim për shkak se as për së afërmi nuk kanë qenë punimet”, u shpreh ministri.
Ministri shtoi se sot pas zgjidhjes së shumë probleme disa të shpronësimit dhe disa teknike nga rrëshqitjet e dheut që kanë ndodh e që janë sanu, problemet faktike reale janë eliminua dhe procesi në dy llote kritike që i kemi pas është duke shkuar në një proces të shpejtë por nuk mund të ju jap datë.
Ndryshe, ministri Aliu ka folur edhe për hetimet në çështjen e ambalazhuesve të ujit.
Ai ka thënë se s’ka informacion zyrtar nëse Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet në lidhje me çështjen e ambalazhuesve të ujit. /Telegrafi/