Thuhet se koprraci paguan dy herë, dhe në këtë shembull është pronari i një auto-salloni.
Gjegjësisht, ai vendosi të kursejë para për transportimin e veturës klasike të Ferrarit në një event, por shpejt u pendua, transmeton Telegrafi.
Në vend që ta dërgonte me “merimangë” në një destinacion 18 kilometra larg, pronari i sallonit dhe kompanisë së restaurimit të veturave Mechatronik, ia besoi Ferrari F40 të shtrenjtë një punonjësi të ri.
24-vjeçari e ka pranuar detyrën, por pas pak minutash ka paguar çmimin e papërvojës së tij në drejtimin e një veture me vlerë tre milionë euro.
Mediat gjermane raportojnë se nuk dihet saktësisht shkaku i aksidentit dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë një defekt mekanik.
Ky është një ngushëllim i vogël për punonjësin që me gjasë do t’i kushtojë ky aksident.
Në tunel, ai humbi kontrollin mbi veturën dhe u përplas në shkëmbin anësor me pjesën e përparme.
Në vend që të ekspozohet në Motorworld Car Show, vetura është kthyer aty ku ka nisur dhe do të rindërtohet. /Telegrafi/