Sipas një raporti të ri, Hezbollahu ka pastruar disa vende kyçe në Libanin lindor dhe jugor në rast të përshkallëzimit të mundshëm izraelit.
Raportohet se grupi militant është në “gatishmëri të lartë” pas sulmeve izraelite “thellë brenda territorit libanez” gjatë natës.
Dy burime sigurie kanë njoftuar se Hezbollahu ka pastruar vendet si në Libanin jugor ashtu edhe në luginën lindore Bekaa, shkruan skynews.
Ndryshe, sulmet ajrore të Izraelit gjatë natës duket se janë në përgjigje të vrasjes së 12 fëmijëve dhe adoleshentëve në një sulm me raketa në një fushë futbolli në Lartësitë Golan – diçka për të cilën Hezbollahu tha se nuk ishte përgjegjës.
Por, si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja kanë thënë se provat sugjerojnë se fajin e kishte grupi militant me bazë në Liban.
“Çdo tregues thotë se raketa që goditi fushën e futbollit në Lartësitë Golan është lëshuar nga Hezbollahu”, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Gjithashtu, Sekretari amerikan i Shtetit tha se vendi i tij qëndron përkrah të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet terroriste.
Ai shtoi se Uashingtoni është në diskutime me Izraelin dhe nuk dëshiron që konflikti të përshkallëzohet.
“Një armëpushim në Gazë do të ishte një mundësi për të sjellë qetësi të qëndrueshme në zonën midis Izraelit dhe Libanit”, tha ai. /Telegrafi/