Poezi nga: Ezra Pound
Përktheu: Fadil Bajraj
Në kabinën e praruar të jahtës së tij
Zoti Nixon më këshilloi me dashamirësi si të përparoj
Me sa më pak mund. “Kij parasysh recensentët, merri me të mirë.”
“Isha i varfër siç je ti;
Kur ia fillova, natyrisht, mora
Paradhënie, së pari pesëdhjetë”, tha z. Nixon,
Më dëgjo, mbaje një rubrikë në gazetë
Makar edhe të punosh kot.
Bëju lajka recensentëve. Nga pesëdhjetë arrita në treqind
Brenda tetëmbëdhjetë muajsh;
Halë në sy më kishte
Zoti Dundas.
Kurrë s’përmenda njeri veç kur doja
Gjërat e mia t’i botoja.
Kjo është këshilla më e mirë, e sa i përket letërsisë
Ajo njeriut s’i ofron kolltuk.
Dhe askush s’mund ta dallojë, në shikim të parë, kryeveprën.
Dhe çoji duart nga vargjet, biri im,
Se kush hairin s’ua pa.
…………………………………………………………………….
Më pati këshilluar dikur një mik i Blugramit:
Zor është të mbetesh ujk në mesin e dallkaukëve.
Mbaje mend.
“Të nëntëdhjetat” njësoj si ti provuan
Dhe dështuan, se hair nuk ka prej kësaj pune.