Policia e Kosovës ka filluar së zbatuari planin operativ në zbatim të vendimeve të institucioneve kompetente, për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID19 duke ndërmarrë në vazhdimësi veprime policore me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.
Në njoftimin bëhet e ditur se gjatë zbatimit të plani operativ “Monitorimi i zbatimit te masave anti Covid-19” mbrëmë në rajonin e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se disa bizneset të cilat ishin të hapura pas orarit po njoftoheshin paraprakisht nga dikush për operacionet e Policisë së Kosovës dhe inspektorëve të AUV-it.
Pas disa veprimeve hetimore, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se një zyrtar i AUV-it (inspektor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës) dyshohet se është duke lajmëruar bizneset të cilat ishin duke punuar jashtë orarit respektivisht në kundërshtim me vendimin e Qeverisë.
Lidhur me këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës dhe ndaj këtij zyrtari të AUV-it nga ana e hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit është iniciuar rast penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare”.
“Synimi i këtij monitorimi është që të kontribuohet në ngritjen e përgjegjësisë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore dhe të nxis seriozitetin e strukturës policore që të ndërmarrë hapat efikas në menaxhimin e situatës.
Monitorimi është fokusuar në kapacitetet policore të angazhuara, respektimin e zbatimit të masave të Qeverisë, si dhe bashkëpunimin me akterët tjerë të përfshirë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/