Site icon Telegrafi

Hetimi ndaj Veliajt, Bushka: Dëshmitarët janë intimiduar dhe kërcënuar gjatë deklarimeve

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Busha ju adresua sot mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste me një fjalë të gjatë, ku shpjegoi lidhjen e saj me Erion Veliaj dhe Ajola Xoxën, pasi emri i saj doli në dosjen hetimore të SPAK.

Bushka u shpreh se lajmin për përfshirjen e saj në hetimin për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka dëgjuar nga mediat, në një konferencë për shtyp të SPAK-ut.

Ajo konfirmoi se ka njohje të vjetra me Ajola Xoxën dhe se Erjon Veliajn e ka mik të vjetër, e për më tepër ka qëndruar pranë të dyve gjatë kalvarit të muajve të fundit, ku çifti kanë qenë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme.

“Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën por kam bashkëpunuar me të edhe para se të bëhesha deputete dhe ky është një fakt i ditur. Erjon Veliaj është miku im i fëmijërisë. Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku por edhe për transformimin e kryeqytetit. Kjo lidhje më ka bërë që të përjetoj bashkë me ta gjithë kalvarin e muajve të fundit, përfshirë linçimin publik dhe trysninë e vazhdueshme që u është dashur të përballojnë. Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës, duke e mbështetur si mike por edhe si ish-kolege në nivelin njerëzor. Me Erionin për shkak të angazhimeve kam pasur mundësinë të flasë më rrallë. Në çdo rast i kam transmetuar besimin e palëkundur tek e drejta, e vërteta, te drejtësia”, tha Bushka.

Më tej deputetja socialiste hodhi akuza në drejtim të hetuesve, duke pretenduar se personat që janë pyetur nga SPAK janë intimiduar. Bushka tha se ndaj personave në dijeni për rastin është ushtruar presion gjatë deklarimeve në shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjeve.

“Pas kontrollit të zyrave të Erjonit dhe Ajolës si dhe pas thirrjes nga prokuroria të një sërë bashkëpunëtoresh të Ajolës, jam venë në dijeni të një shqetësimi se ata janë intimidiuar, kërcënuar për t’ju marrë dëshmi nën trysni. Si njeri i ligjit dhe si deputete jam shqetësuar për disa shkelje të pretenduara të të drejtave individuale dhe elementeve të procesit të rregullt ligjor që u janë bërë këtyre njerëzve, përfshirë vetë Erjonin dhe Ajolën. Janë thirrur persona në statusin e personit që ka dijeni, ndërkohë që janë pyetur si persona nën hetim faktik, duke u detyruar të dëshmojnë kundër vetes, duke u marrë deklarata nën presion, duke ju mohuar e drejta për mbrojtje ligjore. Ky është fakt që prodhohet nga dhjetëra citime të vetë deklaratave, të cilat përdoren si prova për të ngritur dyshime ndaj tyre, për ta hequr nga zyra dhe për ta dërguar në qeli kryetarin e Tiranës”, deklaroi ajo.

Pavarësisht kësaj, Bushka nënvizoi se “ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar se institucionet e reja të drejtësisë”, për të cilat insistoi se janë krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mazhoranca socialiste, “gjatë këtyre 8 viteve kanë fituar vetëbesimin e mjaftueshëm për të në çliruar ne në një farë mënyre nga pozicioni i moskomentimeve të çështjeve”.

Exit mobile version