Site icon Telegrafi

Hetimi i MTI-së për çmime damping përçan qumështarët

Marrja e vendimit për fillimin e hetimit për çmimet antidamping nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përçarë qumështarët, ku disa prej tyre kanë dal kundër këtij vendimi. Mos përkrahja e hetimit dhe e mbrojtjes së prodhimit vendorë lë të dyshohet se këta prodhues mund të përdorin në produktet e tyre të qumështit vaj palme.

Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kanë thënë se që nga e hëna kanë filluar me hetimin e produkteve që dyshohen për shitje nën koston e prodhimit.

“Si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, do të hetojmë vetëm për çmime. Hetimi ka filluar nga e hëna, kemi bërë disa vizita nëpër kompani dhe pas analizave do të merren masa për produktet që shiten nën koston e prodhimit”, ka thënë SytrimeDervisholli, Udhëheqëse e Departamentit të Tregtisë, në MTI.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, RamadanMemaj, ka konfirmuar për Telegrafin se pas kërkesës së tyre, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar hetimet për çmimet antidamping.

“Nëse do të ndërmerren masat e tilla kjo do të jetë diçka shumë e mirë për sektorin e qumështit si dhe konsumatorin e Kosovës. Efektet të cilat mund të pritën janë shumë domethënëse për zhvillimin e sektorit por këto masa duhet të përcillen me masa tjera nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, sa i përket produkteve me yndyrë bimore”, tha Memaj .

Sipas tij, produktet e qumështit me yndyrë shiten me çmime tepër të lira dhe e dëmtojnë prodhimin vendorë.

“Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit presin veprime konkrete në këtë drejtim nga ana e institucioneve vendore. Vendimi i MTI-së për fillimin e hetimeve është veprim i drejt dhe shumë i nevojshëm. Shpresojmë se edhe AUV do të ndërmarr masat e nevojshme në mënyre që ky problem të zgjidhet”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj

Por me Memajn, nuk pajtohet një qumështarë tjetër. Siç duket vendimi për hetim nga MTI ka ndarë në dysh qumështarët.

Gani Durmishaj nga qumështorja “Aldi”, ka thënë se janë kundër marrjes së masave të menjëhershme dhe hetim të çmimeve antidumping, pasi kjo sipas tij, mund të ketë ndikime në treg.

Durmishaj ka thënë se përfaqëson shumicën e qumështorëve të Kosovës. “Jam kundër hetimit të çmimeve damping pasi që nuk është bërë një analizë paraprake se për cilat produkte ka nevojë për të marrë masa. Pa u ulë me diskutuar si dhe pa bërë një analizë të mirëfilltë nuk duhet të merren masa. Marrja e këtyre masave mund të ndikojë në ngritjen e çmimeve në treg dhe me ngritjen e çmimeve dëmtohen konsumatorët”, ka theksuar Gani Durmishaj.

Në një kontest të mëhershëm rreth legjitimitetit të udhëheqjes së Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës në mes të Gani Durmishajt dhe Ramadan Memajt, ky i fundit ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Administratës Publike, si kryetari ligjor i kësaj shoqate. /Telegrafi/

Vendimi i MTI-së për hetim mund të lexohet KËTU.

Exit mobile version