Një pliko-zarf me ngjyrë të verdhë përmes postes “DHL” kishte udhëtuar nga Beogradi për në zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në këtë zarf, sipas Prokurorisë gjendej e vërteta mbi historiatin e pronës milionëshe në Veternik, e cila dyshohet se u fitua përmes falsifikimeve të po këtyre dokumenteve pronësore që u dorëzuan me postë.
Prokurorja e këtij rasti, Nebahate Salihu e cila po hetonte Ylber Hysenin dhe Afrim Gashin për dallavere me këtë pronë, pushoi hetimet bazuar pikërisht në këtë zarf të ardhur nga Serbia përmes rrugëve jozyrtare.
Zarfi i nisur me pretendimin nga Arkivi i Serbisë, çuditërisht për herë të parë i referohet Kosovës Republikë dhe i gjithë lokacioni është shkruar në gjuhen shqipe. Çka sipas palëve ngritë dyshimet për një falsifikim tjetër të radhës.
Por, në fillim të rikujtojmë pak të kaluarën e pronës.
Historiku i betejës për këtë pronë është i gjatë. Fitimi i pronësisë brenda 9 muajve, sekuestrimi e mos sekuestrimi i saj, arratisje, arrestime, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirje të zyrtarëve të lartë, dyshime për fshehje të provave e deri tek mbyllja e hetimeve nga shkalla e parë e Prokurorisë.
Nexhat dhe Gursel Sadiku, pretendojnë se kjo pronë iu është marrë atyre përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.
“Realisht, kjo është toka jonë, është historikisht toka jona, ne kemi fletëposeduese të vitit 1961 e cila e vërteton se kjo tokë është e jona dhe historikisht jemi në Gjykata për vërtetimin e pronësisë të kësaj toke, Nga viti 1984 kur kemi iniciuar vërtetimin e kësaj toke kemi qenë në kontekst me AKP-në, deri në vitin 1999 kur filloi lufta në Kosovë. Me përfundimin e luftës 1999 në vitin 2000 ne vazhdojmë procesin ku ka mbete në Gjykatë të Prishtinës. Prej atij viti kemi bo padi në institucionet në Gjykatat e Kosovës në vitin 2010, formohet Dhoma e Posaçme e cila është kompetente për trajtimin e lëndëve që janë kontekste shoqërore me AKP-në. Në 2010, në të njëjtin vit ne bëjmë padi tek kjo Dhomë që është kompetente për trajtimin e këtyre lëndëve”, ka thënë Egyn Sadiku, djali i palës së dëmtuar Nexhat Sadiku.
Padia që Nexhat dhe Gursel Sadiku kishin bërë për vërtetim të pronësisë nuk ishte trajtuar për 7 vjet nga Gjykata, madje ata nuk kishin marrë as ftesë për seancë.
“Në vitin 2020/21 e kuptojmë që toka jonë për të cilën ne jemi në procedura gjyqësore, ka pësuar është tjetërsuar dhe ka dal në emër të dikujt tjetër”, ka shtuar ai.
Derisa familja Sadiku po ndiqte procesin gjyqësor prej dekadash për fitimin e të drejtës së tyre, prona i kaloi dikujt tjetër dhe madje në procedurë të përshpejtuar.
Kjo pronë, me procedurë të përshpejtuar i kishte kaluar Zojë Hysenit, 84-vjeçare e cila kishte vdekur gjatë procedurave gjyqësore.
“Në 2014, kur Zoja bën padinë në Dhomë të Posaçme, formohet prapë një trup gjykues, prapë prej tre gjyqtarëve të cilët janë gjyqtarët e njëjtë të rastit të padisë tonë nga 2010. Brenda 9 muaj ditëve në 2015 i njihet e drejta për 9 hektar tokë në Veternik të Prishtinës, pjesë e këtyre 9 hektarëve është edhe parcela 1743, e cila është toka e babait tim”, ka thënë Sadiku.
Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohej të ishte përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai fillimisht në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas dhe si trashëgimtari i vetëm i kësaj prone milionëshe.
Pa vonuar, Hyseni pronën filloi ta parcelizonte dhe shiste.
Palët e dëmtuara, Nexhat dhe Gursel Sadiku, kishin iniciuar rast në Prokurori mbi pretendimet se dokumentet pronësore me të cilat e ndjera kishte fituar pronësinë, sipas ekspertizave grafologjike që kishin bërë ishin të falsifikuara.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe debati i zhvilluar në “Tempus” më 13 shtator 2021 do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët.
Për këtë rast, ishte lëshuar urdhër arrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.
Mbi këtë bazë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar 5 herë radhazi sekuestrimin e përhershëm të kësaj prone. Kërkesë kjo që ishte refuzuar pesë herë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kthyer në rivendosje katër herë nga Apeli.
Kontradikta ishte se për rastin e njëjtë, Afrim Gashi po mbahej në arrest shtëpiak, derisa prona nuk sekuestrohej.
“Edhe për bindjen time është bajagi e paqartë të thuash këtu se nuk ekziston dyshimi i bazuar që ka kryer veprën penale, ndërsa atje të thuash që nuk ekziston dyshimi i bazuar se dhe njëra edhe tjetra nuk mund të shqiptohen pa ekzistu dyshimi i bazuar”, kishte thënë profesori universitar Fejzullah Hasani.
Por çfarë përmban ky zarf, të cilit Prokuroria Themelore ia fali besimin dhe pushoi hetimet?
Në brendësi të këtij zarfi gjendet një historiat i pronës në Veternik, ku thuhet se “Departamenti i arkivës së Entit Gjeodezik republikan, organ kompetent për kadastër i Serbisë në Beograd- Departamenti për Libra Tokësor për Prishtinë ka gjetur dokumentacionin e kërkuar, andaj, për siguri mund t’ju njoftojmë që ekziston dokumentacioni i kërkuar te ne”. Duke bashkangjitur një kopje që pretendohet të jetë e origjinalit.
Në këtë rast dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, rreth 3 hektarë tokë në Veternik iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet bashkë me Afrim Gashin.
Në mesin kopjeve të bashkangjitura, ishte një vërtetim i pronësisë i lëshuar më 18 nëntor 1961, e që figuron të jetë ditë e shtunë. Po ashtu, të mbulesa dhe përmbajta e shkresave, shkruhet data 20 mars 1966 dhe figuron të jetë ditë e diel. Ndërsa, nuk ishte bashkangjitur fleta poseduese që ishte përdorur në Gjykatë e që mbante datën 26 prill 1969, ditë e shtunë
Pale e dëmtuar tregon të metat që këto dokumente kanë.
“Dokumenti “Resenje” të cilin e ka përdorur Zojë Hyseni dhe Ylber Hyseni, të metat e këtij dokumenti janë: Të meta ligjore, të meta gramatikore apo gjuhësore dhe të meta faktike apo administrative. Çka nënkupton kjo administrative? Në preambulë, i njëjti dokument ka emërtim Narodi Odbor opstine Pristina. Kurse në vulë ka emërtimin Gracki Narodni Odbor nuk përputhet me emërtimin e institucionit që e ka lëshuar këtë dokument”, ka thënë Ergyn Sadiku, djali i palës se dëmtuar.
Përveç këtij dokumenti, sipas tij, të meta kanë edhe dokumentet tjera.
“Dokumenti i dytë është dokumenti “Potvrda”. Ky dokument thuhet se është lëshuar nga Sekretariati për Financa i ‘Skupstine Pristina’. Do të thotë e ka datën e njëjte vitin e njëjtë 1961 është dokumenti “Potvrda” 1961 është dokumenti “Resenje” mirëpo i kanë emërtimet e ndryshme kinse ky dokument është lëshuar nga Instituti ‘Skupstine Pristina’”. Nuk mundet që në të njëjtin vit, i njëjti institutit t’i ketë dy emërtime të ndryshme. Përveç kësaj, dokumenti “Potvrda” është i ditës së shtune”, ka thënë tutje ai.
“Betimi për Drejtësi”, ka dërguar pyetje në Institutin Gjeodezik Republikan në Serbi, që të marrë informata nëse ky zarf është dërguar nga ta përmes postës dhe nëse po pse kanë zgjedhur kjo rrugë dhe nuk e kanë dërguar përmes rrugëve zyrtare, mirëpo, ata nuk kanë kthyer përgjigje.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë përgjigje se kush ishte dërguesi i zarfit edhe nga posta DHL.
Mirëpo, përmes një përgjigje me shkrim nga menaxheri i shitjeve Filip Trajkovski kanë thënë se DHL Serbia nuk është e autorizuar të zbulojë asnjë informacion mbi dërgesën personave që nuk janë as palë e transportit dhe as palë marrëse.
“Ne rekomandojmë që pronari i llogarisë, me shpenzimet e të cilit transportohet dërgesa, të kontaktojë drejtpërdrejt me DHL Serbia për ndihmë të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tashme pas ankesës së palëve Prokuroria e Apelit ka kthyer këtë rast serish në rishqyrtim, duke i dhënë rekomandime Prokurorisë Themelore se si duhet të veproj tutje.
Gjatë kësaj procedurë hetimore nuk ishte arritur të sigurohej asnjëherë Ylber Hyseni, për të cilin sipas burimeve kishte edhe urdhër-arrest ndërkombëtar.
Por, nga Policia ishte intervistuar motra e tij, Sanie Hyseni.
Ajo kishte thënë se nuk e di për pronën që e ka fituar vëllai i saj, dhe se i njëjti gjendet në Hungari.
Ajo ishte shprehur se para 20-30 vjetëve nëna e saj e ndjera kishte përmendur se ka një tokë në Prishtinë, por kjo asnjëherë nuk e ka ditur se në cilin vend gjendet ajo pronë.
“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me motrën e Ylber Hysenit, por ajo ka refuzuar të flasë për këtë teme duke thënë se është shumë e sëmur dhe nuk di për këtë çështje. /Betimi për Drejtësi/