Site icon Telegrafi

Hetimet ndaj Shefqet Krasniqit vazhdojnë

Përkundër raportimeve në media se Prokuroria Speciale e Kosovës ka nxjerrë aktvendim për pushim të hetimeve për ish-imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, KALLXO.com mëson se hetimet ndaj Krasniqit nuk janë pushuar por është kërkuar vazhdimi i tyre.

Prokurori special Haki Gecaj, i cili ka ngritur aktakuzë ndaj disa imamëve, ka mohuar që Krasniqi të jetë pjesë e hetimeve që ai ka bërë.

Lexo po ashtu Aktakuzë ndaj pesë hoxhallarëve për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes

“Shefqet Krasniqi nuk është pjesë e hetimeve në rastin tim”, tha Gecaj për KALLXO.com.

Portali ka kontaktuar edhe me avokatin e Krasniqit, Sevdali Zejnullahu, i cili ka thënë se është i njoftuar se prokurori Elez Blakaj ka kërkuar vazhdimin e hetimeve edhe për 6 muaj.

“Kjo është një kërkesë e pakuptimtë e prokurorisë ndaj të cilës kemi bërë ankesë në Gjykatën e Apelit. Prokuroria ka pasur kohën e mjaftueshme për të zbuluar të vërtetën për këtë rast. Ne jemi të bindur se Gjykata e Apelit do të miratojë kërkesën tonë duke pushuar hetimet”, tha Zejnullahu për KALLXO.com.

Exit mobile version