Mediat amerikane kanë raportuar se kundër dy ish-ndihmësve të lartë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po zhvillohen hetime për lidhjet me rusët, nga ana e prokurorit special amerikan.
Rrjeti NBC News ka raportuar mbrëmë se prokurori special, Robert Mueller, u ka bërë thirrje për dëshmi para jurisë së madhe, personave ekzekutivë që kishin punuar me Paul Manafortin, ish-shef i fushatës së zotit Trump, për angazhimin e tij për ish-presidentin prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovich, në periudhën 2012 – 2014.
Rrjeti NBC e ka cituar njërin prej personave ekzekutivë që është thirrë për dëshmi, që ka thënë se hetuesit “po përpiqen të zbulojnë” nëse fushata lobuese për partinë proruse të ish-presidentit Yanukovich, ishte “projekt legjitim”.
Zoti Manafort, banesa e të cilit raportohet se ishte bastisur nga agjentët e FBI-së gjatë muajit të kaluar, ka dalur si figura kryesore në hetime.
Pjesëmarrësit kanë thënë se ai ishte i pranishëm në takimin në qershor të vitit 2016, gjatë të cilit djali i Trumpit ishte takuar me një avokate ruse, e cila sipas disa emailave, kishte pretenduar se ka informacione të dëmshme për demokraten, Hillary Clinton, që ishte rivale e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale.