Site icon Telegrafi

Hetim i ngathët për dhunën e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë

Dy të dyshuarit kryesorë për hapjen e dyerve të Kuvendit të Maqedonisë më 27 prill, që më pas ishte shfrytëzuar nga protestuesit të futen në ndërtesë dhe sulmojnë fizikisht deputetët e opozitës së atëhershme, nuk janë marrë ende në pyetje përkundër paralajmërimeve.

Nga Prokuroria nuk dhanë detaje, por vetëm njoftuan deputetët e OBRM-PDUKM-së, Kërste Mukosvski dhe Sasho Vasilevski se nuk do të merren në pyetje.

Ata së bashku me zyrtarët tjerë të partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dyshohen të kenë orkestruar dhunën në Kuvend, të ndihmuar edhe nga struktura të Policisë, të cilat nuk kishin ndërhyrë fare për të penguar pushtimin e Kuvendit nga protestuesit, të cilët i shkaktuan lëndime të rënda deputetit shqiptar Zijadin Sela, pastaj liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev dhe disa zyrtarëve tjerë të opozitës. Në shënjestër të sulmeve, ishin edhe gazetarët.

Ekspertët thonë se Prokuroria duhet të jetë më e shpejt në procedimin e këtij rasti.

“Ata shumë më herët i kishin të dhënat dhe këtë kanë mundur ta bëjnë që në fillim. Është qesharake se si nuk kanë mundur t’i identifikojnë kur të gjithë ne i kemi parë incizimet ku duket qartë përfshirja e tyre në ngjarjet në Kuvend”, thotë avokati Zvonko Davidoviq.

Sipas tij, përshpejtimi i procedurave për hetimin e këtij, por edhe të ngjarjeve tjera, ndikon në krijimin e një imazhi më pozitiv për gjyqësorin e kritikuar.

“Unë me sa po shoh Qeveria më nuk dëshiron që të ketë ndikim mbi gjyqësor, përkundrazi angazhimet e saj janë për një gjyqësor të pavarur dhe profesional. Se sa kjo do të vazhdojë apo se sa do t’i rezistojë një politike të tillë, mbetet të shihet në vazhdim të punës së saj”, thotë Davidoviq

Nga ana tjetër, Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike thotë se zhvillimet e dhunshme në Kuvend duhet sa më shpejt të marrin epilog dhe të pastrohet ky rast që i vendosi një njollë shumë të rëndë Maqedonisë.

Ai vlerëson se OBRM-PDUKM-ja, jo vetëm që nuk është distancuar nga dhuna por me kërkesat e fundit për amnisti dhe lirimin e dhunuesve të tjera nga ndjekja, merr autorësinë mbi atë çfarë ka ndodhur më 27 prill.

“Unë mendoj se OBRM-PDUKM-ja përmes Ligjit për amnisti, përmes të cilit kërkohet rishqyrtimi i disa rasteve në të cilat ka indikacione se janë bërë shkelje të rënda të procedurës dhe janë të motivuara politikisht, të përfshijë edhe rastet që kanë ndodhur në Kuvend. Kjo për mendimin tim nuk mund të trajtohet në mënyrë të njëjtë sepse atje bëhet fjalë për vendimet gjyqësore të përfunduara, ndërsa këtu bëhet fjalë për persona ndaj të cilëve udhëhiqet procedurë që është në fazën gjyqësore apo të hetuesisë. Me një qasje të tillë OBRM-PDUKM-ja edhe e merr autorësinë e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend”, thotë Zyberi.

Dhunës në Kuvend më 27 prill i parapriu procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe deklarata e përbashkët e partive shqiptare e cila nga partia OBRM-PDUKM dhe protestuesit konsiderohej si rrënuese e karakterit unitar të Maqedonisë.

Nga dhjetëra persona që kanë nisur procedura hetimore, deri më tani vetëm një prej tyre është dënuar me 4 vjet burg për sulmin fizik ndaj nënkryetares së LSDM-së Radmilla Sheqerinskës, ministre aktuale e Mbrojtjes në Qeverinë e re.

Exit mobile version