Telegrafi

Hetim kundër tre personave për plaçkitje në një këmbimore në Tetovë

Prokuroria Publike Tetovë sot dha urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër tre personave për vepër të kryer penale plaçkitje. Dy nga të dyshuarit janë shtetas të Maqedonisë, ndërsa njëri është shtetas i Republikës së Italisë.

Siç kumtoi Prokuroria Publike, të tre personat janë të dyshuar se më 18.09.2018, pas një marrëveshje paraprake, me përdorim të forcës e kanë kërcënuar një të punësuar, kanë kryer plaçkitje në një këmbimore në Tetovë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Derisa dy personat e dyshuar kanë bërë roje, i dyshuari i parë, shtetasi i Italisë, ka hyrë në objekt me armë zjarri duke ja drejtuar të punësuarit, dhe i ka bërë me shenjë që t’i mbledh paratë në vlerë prej 20.000 eurove në kundërvlerë të denarit.

Prokurori publik kompetent, duke e vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore – Tetovë ka ngritur propozim për përcaktimin e masës – paraburgim për tre të dyshuarit. Gjykatësi e ka pranuar propozimin dhe të dyshuarve u ka shqiptuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve./Telegrafi/