Telegrafi

Hetemi i quan të pavërteta raportimet se KFOR-i e ka urdhëruar të largohet nga objekti i komunës

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka reaguar pas raportimeve në media se KFOR-i ka urdhëruar largimin e tij nga komuna ose në të kundërtën do ta nxirrnin me forcë.

Hetemi ka konfirmuar se një lajm i tillë është i pavërtetë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e lajmeve të rreme.

“Lajmi i publikuar në portalin ‘Paparaci’ se mua më ka urdhëruar KFOR-i të largohem nga Komuna apo të më nxjerrin me forcë është totalisht i pavërtetë. Ftoj publikun e gjerë të Republikës që të informohen vetëm nga lajmet e konfirmuara e zyrtare dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, këtë të premte janë bërë dy javë prej kur nisën protestat nga serbët lokalë në tri komunat në veri të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të cilët po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e tyre të punës.

Këta të fundit më 26 maj u detyruan të futen në objektet komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe mediat e gazetarët.

Së fundmi po diskutohet për zgjedhje të reja lokale si mundësi për shtensionimin e situatës./Telegrafi/