Situata në veri të vendit, të martën ishte e qetë. Protestuesit qëndruan nën çadra e ushtarë të KFOR-it pati më pak, ndërkohë kryetarët janë duke u marrë me punët e tyre.
Prezent ishin edhe një numër i vogël i ushtarëve të KFOR-it.
Ndërkohë, para oborrit të ndërtesës së komunës së Zveçanit, vazhdojnë të qëndrojnë autoblindat e Policisë së Kosovës.
Pas takimit që patën me emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, drejtuesit e Listës Serbe, u janë bashkuar edhe sot protestuesve në Zveçan.
Gazetarja e RTK-së raportoi se në Zveçan, pas takimit me emisarët Escobar e Lajçak, rreth orës 17:30, kanë mbërritur Igor Simiq e Goran Rakiq, drejtues të Listës Serbe.
Ajo tha se ata nuk kanë pranuar të japin përgjigje për qëndrimin e Listës Serbe për zgjedhjet në komunat në veri të vendit, pasi kanë thënë se nuk janë deklaruar as në Prishtinë e nuk do të flasin as në Zveçan.
“Ata thanë se kanë ardhur të njoftojnë protestuesit, në lidhje me çdo gjë që kanë biseduar me emisarët”,tha gazetarja Podvorica, e cila sqaroi si drejtuesit e Listës Serbe kanë konfirmuar se protesta në veri të vendit do të vazhdojnë.
Në këtë komunë ka filluar kompletimi i institucioneve ku krytari Ilir Peci, ka emëruar nënkryetaren e komunës që është nga nacionaliteti serb si dhe kryetari i Asamblesë Komunale.
Ndryshe nga Zveçani, në Leposaviq ku gjatë ditës ka qëndruar ekipi i RTK-së, ka pasur një numër më të madh ushtarësh të KFOR-it që po ruajnë objektin e komunës, ku vazhdon të qëndrojë edhe më tej kryetari Lulezim Hetemi.
Ndërsa gjatë ditës, protestuesit dhe ushtarët e KFOR-it kanë zhvilluare dhe lojëra si tërheqja me litar.
Edhe në Zubin Potok situata është e qetë dhe ku atje ka fare pak ushtarë të KFOR-it.
“Por ka më shumë policë të Kosovës ndërkohë që kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri, vazhdon ta kryejë detyrën e tij nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër”, raportoi gazetarja Edona Podvorica.
Në këtë mënyrë, ajo tha se situata në përgjithësi në veri të vendit është e qetë.