Telegrafi

Hetem Ramadani flet për ndihmën ndaj TMK-së: Shkova për t’ia dhënë Ramushit 50 mijë marka, duke negociuar ia dhashë 100 mijë

Biznesmeni i njohur kosovar, i cili njihet shumë në popull si një meditues dhe mjek popullor, ka qenë mysafir këtë javë në emisionin Kojshia Show.

Pos hulumtimeve të tij në mjekësinë alternative, ai në këtë emision ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

Ramadani, në emision foli edhe për takimin e tij të parë me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, madje thotë se në këtë takim, i kishte dhënë atij 100 mijë marka gjermane për nevoja të TMK-së.

“Ramushin, herën e parë fizikisht e kam takuar kur kam ardhur në Kosovë pas nëntë vitesh pasi më parë nuk kam pasur të drejtë. Kam shkuar ta takojë Agim Çekun që ishte shef i TMK-së, Ramushi ishte zëvendës. Më dërgoi Kadri Veseli me iu ndihmua për t’u veshur garda, se nuk kishin para. Agim Çekun e njihja nga Lubjana para se të bëhej shef i UÇK-së, kisha shumë raporte të mira. Ma pruri Ramushin në zyre”.

“Ramushi ishte një djalë shumë i shkathët, shumë inteligjent, filloi të negociojë për para, se unë shkova për 50 mijë marka, dhe duke negociuar ia dhashë 100 mijë marka. Aty e kam parë Ramushin, një djalë i shkathët. I thash ku i ke mësuar negociatat ti, se unë duke menduar se jam profesor i negociatave, doli një njëri përpara që dinte edhe me negociu. Ia kisha dëgjuar sigurisht emrin si luftëtar, si komandant, por hera e parë ishte aty që u takuam”, tha Ramadani.