Telegrafi

Het-trik Ronaldo dhe Reali kalon një kundërshtar të madh (Video)

Në takimin e zhvilluar në Estadio Ramon Sanchez Pizjuan, njeriu i ndeshjes ishte superylli portugez, Cristiano Ronaldo, i cili i shënoi të tre golat e skuadrës mysafire.

Marcelo pasoi te Isco, spanjolli dërgoi një krosim të mirë në zonë dhe portugezi shënoi me kokë golin e parë të ndeshjes (36’).

Shumë shpejt erdhi goli i dytë i 30-vjeçarit (37’). Kësaj radhe asistoi Chicharito.

Në minutat shtesë të gjysmës së parë (45’+2), Carlos Bacca shënoi nga penaltia për t’u dhënë shpresa andaluzianëve.

Cristiano kompletoi het-trikun në minutën e 68-të falë një harkimi të mirë të Gareth Bale. Ky ishte goli i 42-të këtë edicion në La Liga për Ronaldon.

Për të mos i lënë të qetë Mbretërit deri në fund u kujdes Vicente Iborra, i cili shënoi golin e dytë të vendasve (79’).

Megjithatë, fitorja i takoi Real Madridit që i qëndron dy pikë pranë Barcelonës që këtë xhiro shkeli Cordoban me rezultat 8-0. /Telegrafi/