Është një e arritur e madhe vendosja e shtatores së Skënderbeut në shkollat e mesme të Preshevës, por vallë, guxon dikush të ligjëroj dhe të mësoj me dijeninë e pushtetin për Adem Jasharin dhe Bardhyl Osmanin?!
Në vendet ku frymon lirshëm demokracia, vend që pandeh se është i përthekuar me realitetin dhe arsyetimin e mirëfilltë, fenomenet dhe sendet janë të prira të flasin në vetën e parë, mbase edhe për dukuritë e përgjithshme që i rrethojnë. E kundërta e kësaj është anarkia dhe realiteti utopik, ku fenomenet dhe frymorët në heshtje e tregojnë anën e errët të përditshmërisë së tyre të dhimbshme, që me dhembje në çdo sekondë kërkojnë ndihmë, por ja që përballë rrethanave të cilët detyrimisht po e kërkuakan heshtjen e dhembjeve dhe arsyetimin e torturave bizare me heshtje, këtë dhembje që gjendet në thellësinë e lëvozhgës, po dashka të pranohet me durim, për hir të atyre që as për gjëra shumë të vogla nuk janë të gatshëm të durojnë, ndonëse tashmë heshtjes duket se ia paskan lakuar emrin në rasa që ende gjuha shqipe nuk po i njohka, por i mbërthyer prej heshtjeve që s’bëzajnë as kur shkelmojnë fuqishëm bishat, pahetueshëm në këtë dyzim të thellë fillon që forca e dijes spontane të lëshon shtat në amullin dhe kundërthëniet e mia që duket se s’kanë të sosur, ku me pahir më thotë se heshtja që dikur e quanit flori, tashmë nuk quhet si e tillë, por kjo fjalë është zëvendësuar me togfjalëshin, servilizëm naiv.
Ky realitet dhe ky dyzim i hidhur ndër shekuj, që si një shok i keq dhe besnik në keqbërjen tij, i shoqëroi edhe shoqëritë ose popujt që ishin para nesh, mbase ende mëton të thotë se unë jam ai bari i keq, që edhe barnave më modern të zbuluara prej shkencëtarëve më të spikatur mund t’i mbijetojë. Kësisoj, ne si qytetarë të këtij globi dhe si të përcaktuar nga Krijuesi ynë, të jetojmë në një pjesë të Shqipërisë Natyrale, nën administrim artificial, ndjejmë përgjegjësi morale që heshtjen e përgjithshme të shqiptarëve, veçmas të shqiptarëve në Luginë të Preshevës rreth çështjeve kryesisht arsimore (rreth barit të keq i cili nuk e ka ndërmend që të dorëzohet) ta sensibilizojmë dhe artikulojmë, edhe këndej truallit shqiptar.
Më rastisi fati që një ditë të shkoja në këtë pjesë të bukur shqiptare dhe të interesohem për çështjet organizative arsimore, sepse isha tejet i vetëdijshëm se çdo interesim dhe kureshtje e mëtutjeshme për diçka tjetër, do ishte e kotë, pa e parë për së afërmi fillimisht oazën ku lulëzon e tashmja dhe e ardhmja e një populli. Në këtë vend të shumëvuajtur, para se të ballafaqohesh dhe të dëgjosh deklarata, të cilët jepen prej personave të rëndomtë dhe prej profesorëve, të cilët preferojnë kalimthi të tregojnë për hallet e shkollave të mesme në Preshevë, me automatizëm, lajmet dhe informacionet e tilla publike ta kujtojnë rastin e mospranimit të diplomave që vijnë prej Universitetit të Prishtinës (UP) dhe prej disa universitet tjera private që funksionojnë në Republikën e Kosovës.
Përfundimisht, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qeveria e Beogradit nuk dëshiron as të dëgjon për çështjen e diplomave që vijnë prej shtetit të Kosovës. Ky problem, tashmë ka hyrë në vitin e tretë dhe zgjidhja e këtij problemi tejet serioz, vështirë është që një ditë ta sheh dritën e jetësimit. Fatin e zgjidhjes së këtij problemi shumë serioz, në bazë të disa pohimeve, dukshëm e kishin ndërlidhur me (mos)pranimin e pavarësisë së Kosovës.
Përskaj shumë problemeve që plasoheshin dhe plasohen prej pushtetit serb, të zgjedhurit e këtij rajoni, si arsyetim të shumë dështimeve politike, kombëtare dhe ekonomike, në masë të konsiderueshme i kishin futur duart e tyre politike, kuptohet të njollosura, edhe në shkollat e mesme, ku me mbajtjen peng të shumë profesorëve, duke mos ia dhënë vendimet për vite të tërë, kuptohet fare pa arsye, apo arsyeja e vetme mund të jetë se profesori në fjalë nuk po i takuaka ndonjë taborit politik, apo ndoshta për hir të sinqeritetit arsimor, personi në fjalë (profesori) ka vendosur të jetë apolitik, në mënyrë që të jetë i pavarur në jetësimin e drejtë të programit arsimor.
Pavarësisht problemeve dhe padrejtësive prej pushtetit të atjeshëm, këtyre pushtetarëve lokal, duke i marrë për bazë ndërhyrjet me oreks partiak, nuk po i interesonte edhe aq shumë se pse në këto shkolla nuk mësohet me plan-program historia e shqiptarëve, përpos kur profesori i nderuar trim dhe bujar në mënyrë “jashtëligjore” detyrohet që nxënësve të cilët të gjithë janë shqiptarë, t’i shpjegoj për historinë e këtij kombi të cilit natyrshëm i përkasin. Ka edhe disa lëndë të ndjeshme karshi pushtetit serb që kryhet në po të njëjtën formë, përpos biologjisë, kimisë e të ngjashme, që pavarësisht plan-programit, këto shkenca i përkasin universales, ku edhe kafka e kriminelit bënë pjesë në gjymtyrën e krijesës së quajtur njeri. Ky problem ndonjëherë diskutohet, edhe prej përgjegjësve politik të Luginës së Preshevës, por trajtimi dhe diskutimi i tyre nuk dallon aspak prej shoqatave joqeveritare, thuajse këta të zgjedhur janë shoqata joqeveritare, apo publicistë të pavarur!
Tash pas pjesës së dytë të fillimit arsimor, të gjithë punonjësit e arsimit, do duhej të shkojnë në Vrajë për disa kontrolle të natyrshme mjekësore, në vend që këtë ta bëjnë në vendin e tyre, ku çdo këshill, kritik apo sugjerim do e marrin në gjuhen e tyre amtare. Këto dhe shumë probleme tjera pedagogjike në Preshevë, të bëjnë të mendosh se vallë, mishmashet dhe labirinthet e shumta i kemi prej lartë, apo të gjithë këto paradokse në mënyrë të zellshme, barten, përkrahen dhe asgjësohen me heshtje prej faktorit politik shqiptar të Luginës së Preshevës.
Duke u mbështetur në të gjitha faktet historike dhe aktuale, shihet se pohimi i dytë paraqitet si më i saktë. Si argument na mjafton heshtja e profesorëve dhe brenga shpjeguese e profesorëve përmes dukjes fiziologjike, por gjithsesi vrastare, ngase sëmundja nëse i nënshtrohet në vazhdimësi heshtjes ajo zmadhohen, e nuk kurohen dot!