Site icon Telegrafi

Heshtja para stuhisë në LDK

Tash disa muaj gjendja e LDK-së është e rëndë dhe ajo është në koma. Kjo gjendje e rëndë i ka lodhur strukturat e saj dhe tashmë anëtarësia t’i kujton familjarët e pacientit që gjendet në koma. Vjen një moment sa vet familjarët duke e parë se familjari i tyre është në gjendje të rëndë, më në fund pajtohen edhe me vdekjen e tij.
Dr. Isa Mustafa, tashmë i ka dhënë të gjitha shenjat te strukturat e LDK-së se ai e ka ndërmarrë një mision të çuditshëm dhe misioni i tij është koduar me emrin: Vdekja e LDK-së.

Mustafa që kur u zgjodh kryetar i LDK-së i ka dhënë të gjitha shenjat se ai edhe nuk komunikon me Kryesinë e partisë. Sikur ai të kishte prioritet kthimin e LDK-së në pushtet, atëherë do të pranonte të zgjidhej deputet dhe do të udhëhiqte me grupin parlamentar të LDK-së dhe me opozitën në Kosovë në Parlamentin e Kosovës. Mustafa ka raporte të ftohta edhe me deputetët e Grupit parlamentar të LDK-së. Kjo flet më së miri me qëndrimin indiferentë të këtyre deputetëve me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Dëshmia më e mirë për këtë janë kumtesat për opinion të LDK-së dhe deklaratat e të ashtuquajturave grupe të ekspertëve, të cilat lëshohen të papërgatitura profesionalisht dhe të papeshuara politikisht. Kumtesat për opinion muajve të fundit të lëshuara nga zyrtarët e LDK-së, tingëllojnë çuditshëm dhe mesazhi i tyre sikur thotë se “po bëjmë diçka sa për të mos thënë se nuk po bëjmë asgjë!”.

Dëshmia tjetër se dr. Isa Mustafa nuk bashkëpunon me strukturat e partisë është edhe mospërfillja e tij ndaj Grupit parlamentar të LDK-së në Asamblenë komunale të Prishtinës. Mospërfillja ka shkuar aq larg se këshilltarëve të Grupit parlamentar të LDK-së ditë më parë u ka thënë se “votat i kam fituar unë dhe unë vendosi për gjithçka!” Kjo të kujton Luigjin IV dhe thënien e tij të famshme: “Shteti jam unë!”.

Nëse vazhdojnë këto trende, atëherë ekzistojnë të gjitha gjasat që në fund të këtij viti këshilltarët e LDK-së të mos e votojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin e ardhshëm dhe kështu qytetarët e Prishtinës dhe LDK mund të pësojnë nga kryeneçësia diktatoriale e tij. Mustafa duhet të kuptoj më në fund se tashmë nuk është regjimi i viteve ’80-ta kur ai ishte kryetar i Qeverisë së Prishtinës dhe nuk është koha e “urdhrave nga lartë”, por është koha e përkushtimit në punë dhe vizioneve të reja në shekullin e ri.

Heshtja para stuhisë…

Strukturat e degëve të LDK-së janë të indinjuara dhe ato tashmë gjenden në një heshtje para stuhisë. Janë të indinjuara pasi gjendemi në fund të muajit gusht dhe buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është realizuar më shumë se 25 për qind. Kjo lë të kuptohet se dhjetëra projekte të premtuara as që kanë filluar, ndërsa dhjetëra kompani kanë mbetur pa punë dhe së bashku me to edhe qindra punëtorë. Kjo është dëshmia më e mirë se në krye të drejtorateve të Komunës së Prishtinës nuk janë instaluar profesionistët, por profiterët që i dështojnë qëllimshëm tenderët për mosrealizim të interesave të tyre.

Strukturat e degëve të LDK-së në Prishtinë janë të indinjuara edhe për faktin se me Komunën e Prishtinës nuk udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës, por drejtorët e drejtorateve që vijnë nga partitë tjera politike. Të merresh sot me fenomenin e drejtorëve të drejtorateve në Komunën e Prishtinës dhe përkatësinë e tyre politike, do të thotë të merresh me një listë të gjatë të deformimeve, të cilat e kanë mbërritur kulmin e mosdurimit në LDK.

Të punësohesh sot në Komunën e Prishtinës, duhet ta plotësosh vetëm një kusht; të mos jesh aktivist i LDK-së! Kryetari i LDK-së mund të thirret në “prirjen” e tij se drejtorët i ka zgjedhur në aspektin profesional e jo sipas përkatësisë partiake, por të gjithë drejtorët e lartpërmendur, më së paku janë të përgatitur profesionalisht.

Strukturat e LDK-së duhet të marrin guximin që procesin e reformave dhe demokratizimin e LDK-së ta çojnë deri në fund. Mbi të gjitha, këto struktura duhet ta bëjnë të pamundurën që kjo parti të dal nga gjendja e komas. Anëtarët e Kryesisë së LDK-së më në fund duhet ta thonë fjalën e tyre dhe nëse Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nuk synon të dal nga kjo gjendje komatike, atëherë LDK e ka të vështirë edhe të ekzistojë.

Exit mobile version