Telegrafi

“Heshtja e Lornës” më 6 maj në Prishtinë

Në premierën e këtij filmi në Kosovë do të jenë të pranishëm edhe vetë regjisorët Jean – Pierre dhe Luc Dardenne, të cilët tashmë e kanë konfirmuar ardhjen e tyre.

Në premierë do të jenë edhe aktorët kosovarë, Arta Dobroshi dhe Alban Ukaj, përderisa disa aktorë të tjerë të huaj, të cilët po ashtu luajnë në këtë film ende nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Menaxherja e kompanisë “Genci”, Miradije Vllahiu, ka thënë nëpërmjet telefonit “Express Live”, se që nga momenti i parë shfaqja e këtij filmi në Kosovë ka qenë dëshirë e kompanisë, por që një gjë e tillë ka qenë e pamundshme.

“Tani në këtë kohë kjo është arritur me shumë mund dhe përkushtim”, ka thënë Vllahiu.

Filmi “Heshtja e Lornës” deri tani është prezantuar në festivale të ndryshme, duke veçuar Festivalin e Kanës, në të cilin arriti të fitojë çmimin për skenarin më të mirë.

Me rolin e Lornës, Arta Dobroshi është bërë aktorja e parë kosovare e cila ka arritur të hyjë në konkurrencë për shpërblimin “aktorja më e mirë e Festivalit të Kanës”. /ktv/