Telegrafi

Herrera fajëson bordin e Unitedit për largimin e tij drejt PSG-së

Ander Herrera ka thënë se bordi i Manchester Unitedit nuk e ka bindur atë të qëndrojë në skuadër dhe kjo bëri që ai të kalonte te Paris Saint-Germaini.

29-vjeçari nënshkroi kontratë pesëvjeçare me kampionin e Ligue 1 në javën e kaluar, pasi kontrata e tij me Djajtë e Kuq skadoi më 1 korrik.

Mesfushori spanjoll u transferua në vitin 2014 te Djajtë e Kuq nga Athletic Bilbao, duke u bërë kështu njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në Old Trafford.

Ander Herrera (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

“Nuk më pëlqen të shikoj mbrapa, por kishte disa dallime të mëdha në projektin e klubit dhe rëndësisë time në të”, ka thënë Herrera për Marca.

Lexo po ashtu Zyrtare: PSG prezanton Ander Herreran

“Isha shumë i lumtur atje, kam shumë falënderime për klubin, për tifozët dhe Solskjaerin. Ai dëshironte që unë të qëndroj, mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu”, ka thënë më tej spanjolli.

Herrera bëri 189 paraqitje në fanellën e Manchester Unitedit duke shënuar 20 gola, ndërsa ka arritur ta fitojë Kupën FA, Kupën Carabao dhe Ligën e Evropës. /Telegrafi/