Telegrafi

“Herr/Frau/Person” – Nga viti 2023, linjat hekurudhore gjermane duhet të kenë edhe opsionin e tretë kur iu drejtohen pasagjerëve me “Zonja” dhe “Zotëri”

Gjykata e Lartë rajonale në Frankfurt ka obliguar linjat hekurudhore, “Deutsche Bahn” që të vendos edhe gjininë asnjanëse kur rezervohen biletat online nga janari i vitit 2023, raporton Bayerischer Rundfunk.

Domethënë, kompania nuk do të mund të përdorë më ekskluzivisht termat “Zotëri ose “Zonjë”, por pasagjerët duhet të kenë një mundësi të tretë për të zgjedhur.

Konkretisht, gjykata vendosi që kompania të mos diskriminojë personat që nuk identifikohen me gjininë mashkullore apo femërore. Duke qenë se nevojitet një konvertim teknik, Deutsche Bahn ka kohë deri në fund të vitit.

Gjithçka filloi me një proces gjyqësor për rezervimin e një bilete përmes Deutsche Bahn nga Berlini në Braunschweig në internet.

Si gjatë regjistrimit ashtu edhe kur blini, zgjedhja e vetme ishte “Zotëri” ose “Zonjë”. Pa këtë zgjedhje, blerja e një bilete nuk ishte e mundur.

Një person i gjinisë jobinare, i cilësuar si “zotëri” më pas bëri një ankesë për diskriminim.

Gjykata e Qarkut të Frankfurtit ka lënë në fuqi përmbajtjen e padisë në shkallë të parë, por ka refuzuar dëmshpërblimin. /Telegrafi/