Telegrafi

“Heronjtë e luftës kundër krimit” të San Diegos, të cilët vishen me kostum dhe insistojnë: “Ne nuk jemi maskuar vetëm për qejf”

Thuajse çdo të shtunë, në qendër të San Diegos, një skuadër me superheronj të vërtet të veshur nga koka te këmbët me maska dhe pelerina, mblidhen për të luftuar krimin.

Ata e quajnë veten “Xtreme Justice League” dhe e kanë bërë të qartë që nuk janë thjesht djem e vajza të maskuar për qejf, por kanë si synim të mbrojnë qytetin e tyre.

Ata nisin patrullimin e rrugëve në fundjavë, kur qendra mbushet me të rinj që festojnë në lokalet e natës.

Objektivi është që të sigurohen se fundjava do të kalojë pa probleme, duke nisur nga sherret banale në lokale, e deri te ndihma që u japin personave që kalojnë në mbidozë nga përdorimi i lëndëve narkotike.

Grupi është pjesë e një lëvizjeje edhe më të madhe popullore, të quajtur “superheronjtë e vërtetë” që është përhapur në disa qytete botërore.

Pasi zgjedhin kostumin, shkruan gsh, ata pagëzojnë veten me një emër të veçantë, në mënyrë që ta kryejnë me sa më shumë dinjitet atë që ata quajnë shërbim ndaj publikut.

Disa prej tyre e kanë bërë këtë punë, edhe pse jo me kaq bujë, prej 14 vitesh.

Dhe pavarësisht se zakonisht shpërndajnë djemtë që duan të zihen në lokale, krimi më i rëndë që kanë parandaluar është një abuzim seksual.