Telegrafi

Heroi i Prishtinës, Pefqeli: Falënderoj Plisat e jashtëzakonshëm, vazhdojmë për titull deri në fund

Momenti i festës së golit... Foto: PrishtinaFC.com

Heroi i Prishtinës në fitoren ndaj Lirisë, Mërgim Pefqeli, është shprehur tejet i emocionuar pas ndeshjes në Prizren.

Pefqeli ishte absolutisht hero i tifzoëve prishtinas pas golit të tij në minutën e fundit të shtesës.

Pas një harkimi të mirë në zonë, Pefqeli u tregua i vëmendshëm për të realizuar golin e fitores për mysafirët, të cilët u gëzuan marrëzisht pasi ishte ky gol që la në titull Prishtinën në një përballje direkte që do të zhvillohet javën e fundit.

Pikërisht për këtë duel Pefqeli beson se Prishtina e ka më vështirë pasi duhet të fitojë me dy gola diferencë.

“Gjasat janë të barabarta, megjithatë më vështirë e kemi ne sepse duhet të fitojmë me dy gola diferencë, por deri në fund nuk dihet asgjë”, thekson ai, shkruan faqja zyrtare e klubit më të trofeshëm kosovar.

Ai ka falënderuar Plisat për përkrahjen e jashtëzakonshme, të cilët udhëtuan në numër të madh në Prizren për të përkrahur skuadrën e tyre.

“Falënderoj skuadrën që ma dha këtë mundësi të luaj sot. I falënderoj Plisat që ishin të jashtëzakonshëm të cilët na besuan deri në fund të ndeshjes. Falënderoj më së shumti Allahun për babin tim, goli ishte vetëm për ët dhe do të vazhdojmë për titull deri në fund”, u shpreh Pefqeli.

Drita ka tri pikë më shumë se Prishtina, por kryeqytetasit mund ta kthejnë trofeun e çmueshëm pas katër vitesh me një fitore me dy gola diferencë në ndeshjen e fundi të drejtpërdrejt mes dy skuadrave. /Telegrafi/