Posta e Kosovës ka përuruar të enjten pullën postare kushtuar heroit të kombit, Adrian Krasniqi, i cili ra heroikisht gjatë një përballjeje të armatosur me forcat serbe në fshatin Kliçinë të Pejës, më 16 tetor të vitit 1997.
Në ceremoninë e mbajtur në Postën e Kosovës kanë marrë pjesë anëtarë të familjes Krasniqi nga Vranoci i Pejës, dhjetëra bashkëluftëtarë të Gjeneral Major Adrian Krasniqit si dhe menaxhmenti i lartë i Postës.
“Është një nder i veçantë për Postën e Kosovës që kësaj here, në emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare e kemi imazhin e njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njërit prej lulëtarëve më të ri në moshë, por që me veprën e tij e dëshmoi trimërinë, sakrificën dhe dashurinë për Kosovën dhe lirinë e saj”, ka thënë Kryetari Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi.
Mision i Filatelisë së Postës së Kosovës është të promovojë vlerat historike, kombëtare, kulturore, shkencore e sportive të Republikës së Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. “Imazhi dhe historia që përcillet përmes kësaj pulle postare do të udhëtojë edhe jashtë trojeve tona. Edhe bota do të mësojë për luftëtarin e lirisë, Adrian Krasniqi”, ka thënë Isufi.
Adrian Krasniqi është ushtari i parë që u vra në uniformë dhe me emblemë të UÇK-së. “Rënia e tij pati jehonë të jashtëzakonshme sidomos tek studentët e Universitetit të Prishtinës, shumë prej të cilëve nuk pritën më për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së”, ka thënë Isufi.
Në shenjë respekti, Kryetari i Bordit, i ka dhuruar familjes Krasniqi pullën postare “Adrian Krasniqi”, e punuar në bronz, ndërsa Zëvendëskryeshefi Ekzekutiv, Sheqet Avdija i dhuroi pullën postare në kornizë.
Ndërkaq, Xhafer Krasniqi, xhaxhai i dëshmorit, evokoi kujtime nga jeta e nipit të tij, Adrianit.
Krasniqi deklaroi se Posta e Kosovës e ka nderuar shumë. “Me këtë pullë postare e ringjalli edhe një herë Adrianin”, ka thënë ai.
Në emër të bashkëluftëtarëve të Adrianit, ka folur Gëzim Sejdiu. “Adriani ka qenë i bindur se pa luftë të armatosur nuk mund të fitohet liria e Kosovës. Në kohën kur Adriani dhe shokët e tij kryenin aksione të armatosura kundër forcave serbe, në Kosovë ende dominonte bindja se këto janë vepra të policisë serbe”, ka thënë ai.
“Rënia e tij pati jehonë të madhe. Shtoi numrin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte një ndikim të madh në mobilizimin e popullit për çlirimin e vendit”, ka theksuar Sejdiu.
Ai tha se emetimi i pullës postare “Adrian Krasniqi” është nder për të gjithë bashkëluftëtarët dhe shokët e Adrianit.
Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të përkujdeset që vlerat tona historike dhe kombëtare të promovohen përmes imazheve të pullave postare. /Telegrafi/