Nga: Daut Dauti
Gjatë periudhës së pandemisë së vitit që shkoi, e mësova mbesën time se si ta ngiste biçikletën. Brenda pak ditësh, ajo e kuptoi se si krijohet dhe si ruhet balanca mbi dy rrota, si sillen pedalet dhe si duhet shikuar rrugën para biçikletës. Pastaj erdhi radha që t’ia krijoj besimin për të vepruar pa ndihmën time. Herën e fundit kur e lëshova të shkonte vet, pa dijen e saj, dhe kur e mori vesh se po e ngiste pa mua, u gëzua shumë. Por, gëzimi im ishte më i madh. Kjo me siguri ka qenë ndër punët më të vyeshme që kam bërë gjatë vitit të kaluar.
Kjo ma kujtoi edhe fëmijërinë time dhe kohën kur unë e kam mësuar ngasjen e biçikletës. Duhet të kem qenë gjashtë vjeç, një vit më i vjetër se mbesa ime. Por, atëherë biçikletat kanë qenë ndryshe dhe unë, sikur shumica e gjeneratës sime, e kam mësuar i vetëm këtë gjë. Ne nuk kishim as biçikleta të fëmijëve e as instruktorë. Biçikletat i merrnin nga prindërit, vëllezërit më të mëdhenj se ne, ose nga familjarët tjerë, shpesh pa lejen e tyre.
Biçikleta ime e parë ka qenë e markës Hercules, prodhimi i së cilës ka filluar në Angli dhe nuk e di nëse prodhohej edhe te ne. Me siguri po, pasi që gati çdo shtëpi e kishte nga një. Ka qenë biçikletë e fortë dhe plotësisht e meritonte emrin që kishte. Nuk prishej kurrë. Për këtë arsye është përdorur edhe në ushtri, si mjet transporti.
Por, ta mësosh ngasjen me të, për ne fëmijët ka qenë punë e zorshme. Pasi që në mes kishte trarin, nuk kishim mundësi t’i grahnim me balancë të zakonshme. Prandaj, duhej t’i hynim anash dhe t’i futnim këmbët te pedalet duke e lënë trarin nën krahun e djathtë me të cilin mezi e kapnim timonin me dorë. Me këtë rast, ne qëndronim drejtë, por biçikleta rrinte e shtrembëruar në të djathtë dhe ashtu lëvizte.
Kushedi sa herë jemi rrëzuar. Kur rriteshim dhe kur mendonim se këmbët do t’i mbërrinin pedalet, hipnim mbi tra. Duke u munduar që të uleshim në shalë, rrëshqitnim nga aty për shkak se shputat nuk i arrinin pedalet. Me këtë rast, vaj halli për ato gjërat që kishim mes këmbëve. Sidoqoftë, mësimi i biçikletës ka qenë punë shumë e vështirë, por dëshira jonë ishte aq e madhe sa që i kalonte të gjitha pengesat.
Kah fundi i viteve të 1960, kur unë e kisha mësuar këtë punë, doli biçikleta Poni e cila nuk kishte tra në mes dhe prodhohej në Slloveni. Ka qenë e bukur dhe u bë hit. Por, ka qenë e shtrenjtë dhe nuk mund ta blinte gjithkush. Megjithatë, mësimi me të ka qenë fare i lehtë. Nuk ekzistonte pengesa në mes dhe shala, së bashku me timonin, i ulej apo i ngrihej sipas nevojës. Pasi ishte kaq e lehtë, ne i thoshim ‘biçikleta e grave’. Nuk ishte e fortë sikur Herculesi. Ishte Poni. Pra, kali i vogël dhe dallimi shihet edhe në emër: Hercules vs Poni. Por, në Kosovë Poni pati edhe rolin emancipues pasi që filluan vajzat ta ngisnin.
Sot ka lloj-lloj biçikletash. Por, mos t’a rrejnë kush vetin se ka biçikletë më të mirë se Herculesi. /Telegrafi/