Iniciativa Il Foglio, e përditshmja liberale, është pjesë e një eksperimenti njëmujor gazetaresk që synon të tregojë ndikimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale në punë, tha themeluesi i gazetës, Giuliano Ferrara.
Në një botim të hollë prej katër faqesh, gazeta tani është e disponueshme si në kiosqe ashtu edhe online.
“Do të jetë gazeta e parë e përditshme në botë e krijuar tërësisht duke përdorur inteligjencën artificiale. Çdo gjë, nga shkrimi i artikujve, titujt, citimet, e madje ndonjëherë edhe ironia”, tha Ferrara. Ai shtoi se roli i gazetarëve do të kufizohet në “parashtrimin e pyetjeve për mjetet e AI-së dhe leximin e përgjigjeve”.
Ky eksperiment vjen në një kohë kur organizatat e lajmeve në mbarë botën po përballen me sfidën e përshtatjes së AI-së në industrinë e tyre. Më herët këtë muaj, The Guardian raportoi se BBC News do të përdorë inteligjencën artificiale për të ofruar përmbajtje më të personalizuar për publikun.
Në faqen e parë të edicionit të parë të Il Foglio AI, është një artikull mbi presidentin amerikan Donald Trump, që përshkruan “paradoksin e trumpistëve italianë” dhe mënyrën se si ata kundërshtojnë “kulturën e anulimit”, por në të njëjtën kohë ose mbyllin sytë ose, edhe më keq, “festojnë” kur “idoli i tyre në SHBA sillet si një despot i një republike bananesh”.
Po në faqen e parë gjendet edhe një editorial i titulluar “Putin, 10 tradhtitë”, i cili analizon “20 vite premtimesh të thyera, marrëveshjesh të shkelura dhe fjalësh të pabesueshme” nga presidenti rus Vladimir Putin.
Në faqen e dytë ndodhet një histori mbi të rinjtë evropianë që po largohen nga marrëdhëniet e qëndrueshme.
Ndërkohë, në faqen e fundit, janë publikuar letrat e lexuesve drejtuar redaktorit, të cilat janë gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Një prej tyre shtron pyetjen “A do ta bëjë AI njerëzimin të pavlerë në të ardhmen?”
Në përgjigjen e saj, AI-ja shkruan se “AI është një inovacion i jashtëzakonshëm, por ende nuk di si të porosisë një kafe pa gabuar sasinë e sheqerit.”
Ferrara theksoi se Il Foglio AI pasqyron një gazetë të vërtetë dhe se është një produkt i “lajmeve, debatit dhe provokimit”.
Por ai e konsideron gjithashtu një fushë testimi për të parë se si inteligjenca artificiale mund të funksionojë në praktikë dhe çfarë ndikimi do të ketë në prodhimin e përditshëm të lajmeve.
“Është thjesht një tjetër Il Foglio, i krijuar me inteligjencë. Mos e quani artificial”, tha Ferrara. /Telegrafi/