Blerësit ishin përsëri në rrugët e Austrisë dhe Italisë sot ndërsa Evropa ndërmerr hapat e saj të parë të kujdesshëm nga bllokimi si pasojë e coronavirusit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Italia po hap një pjesë të vogël dyqanesh duke përfshirë librari në një proces testues për të parë sesi mund të funksionojnë masat e distancimit social pas bllokimit, i cili përndryshe mbetet në fuqi.
Sidoqoftë, disa rajone kanë zgjedhur të mos përfitojnë plotësisht.
Libraritë nuk do të hapen për një javë tjetër në Romë dhe do të qëndrojnë të mbyllura krejt në Lombardi.
Ndërkohë në Austri, i cili ishte vendi i parë evropian që njoftoi plane specifike për përfundimin e bllokimit, blerësit gjendeshin edhe jashtë dyqaneve të pajisjeve kompjuterike, të veshur me maska të detyrueshme ndërsa dyqanet e vogla u rihapën sot.
Gjithsesi, ekspertët nuk presin një rritje të klientëve, sepse disa njerëz do të shqetësohen akoma për të bërë udhëtime të panevojshme për blerje dhe dyqane të caktuara mund të zgjedhin të qëndrojnë të mbyllura.
Ndërkohë, puna industriale dhe ndërtimore po rifillon në Spanjë, ku disa punëtorë ishin përsëri në punët e tyre dje ndërsa rajone të tjera po kthehen sot pas një feste të së hënës së Pashkëve.
Diku tjetër, Danimarka po përgatitet për një hapje më të shpejtë nga sa pritej, pasi rastet spitalore vazhduan të binin ndërsa Islanda thotë se do të fillojë të lehtësojë kufizimet muajin tjetër. /Telegrafi/