Site icon Telegrafi

Heqja e Kosovës nga lista e karantinës në Zvicër, sjell shumë mërgimtarë në vend

Foto: Arkiv

Për plot gjashtë muaj, shumë njerëz nëpër botë ndryshuan planet e tyre afatgjata si pasojë e pandemisë COVID-19.

Kjo ngjau edhe me kosovarët që jetojnë në Zvicër, të cilët këta muaj nuk mundën që ta shijonin atdheun dhe kohën pranë familjeve të tyre, kjo pasi që Zvicra kishte marrë vendim që qytetarët e ardhur prej zonave me rrezik të shtuar të përhapjes së koronavirusit, detyroheshin të qëndronin në karantinë, pjesë e së cilës listë ishte edhe Kosova.

Mirëpo nga data 28 shtator, Zvicra e hoqi Kosovën nga kjo listë pasi numri i të infektuarve në vend ra dukshëm javëve të fundit. Dhe kjo bëri që shumë mërgimtarë t’ia mësyjnë atdheut.

Valdrin Basha, një qytetar nga Kamenica, tha se sapo kishte marrë lajmin për këtë vendim të Zvicrës, menjëherë e kishte rezervuar biletën e për vendlindje.

“Të them të drejtën, më duket që jam personi i parë që kom thirr në agjensione dhe kom rezervu biletën. Kosova m’ka mungu në sezonin e verës, jo vetëm mua por të gjithë mërgimtarëve që jetojnë jashtë”, tha Basha.

Ai tha se planet për pushime verore në Kosovë iu prishën.

“Pushimin e verës si të gjithë mërgimtarët e kishim në plan ta kalonim në Kosovë, mirëpo shkaku i pandemisë, u prishën planet, shkaku edhe që Zvicra mori vendim për futjen në karantinë të atyre që ktheheshin nga Kosova. Nuk kemi guxuar që të rrezikojmë me ardhë edhe për atë arsye u prishën planet dhe i shtymë për tetor. Sigurisht edhe puna e tetorit ishte në pikëpyetje deri në momentin e fundit”, deklaroi ai për “Zërin”.

Pritja e gjatë për ardhje në vendlindje i bëri ata të përloten me të zbritur në Aeroportin e Prishtinës.

Teuta Lasku i tha se që shumë kohë është duke e pritur udhëtimin.

“Kemi pas plan me ardhë ma herët, një herë në prill edhe nuk mujtëm, atëherë e kena pas në mend për pushime verore në korrik, por as atëherë nuk mujtëm, ndërsa tash për tash nuk e patëm planifikuar, por mezi s’kena prit me ardhë. Më ka munguar shumë Kosova edhe e kom prit shumë me gëzim me ardh kjo ditë. Jam shumë e emocionuar”, theksoi Lasku.

Shtyrja e datës për ardhjen në atdhe i ndodhi edhe Diana Bushajt, e cila tha se mezi priste të takonte prindërit e saj.

“Verës e kemi pas plan me ardhë, por puna e koronavirusit është shtyrë ardhja. Një javë kena me nejt, ma shumë shkaku i punës, se me qejf tri javë po dojmë me nejt, sepse i kam prindërit e familjen krejt këtu. Jam shumë e emocionuar, s’mund të flas më shumë, emocionohesh është normale”, përfundoi Bushaj.

Ndërkaq zëdhënësi i Aeroportit të Prishtinës, Bujar Gashi tha se pandemia ka ndikuar në numrin e fluturimeve dhe të udhëtarëve.

“Nëse i marrim periudhat neto kohore nga viti 2019, atëherë në Aeroportin e Prishtinës del të jetë rreth minus 65% si në fluturime ashtu edhe në udhëtarë”, tha Gashi.

Ai deklaroi se aeroporti ka punuar me staf të përgjysmuar gjatë kësaj kohe.

“Gjatë gjithë kohës së pandemisë, Aeroporti i Prishtinës ka funksionuar me staf të përgjysmuar, me rreth 50 për qind të stafit, mirëpo kurdo që ka qenë nevoja për rritjen e numrit të stafit atëherë Aeroporti ka qenë i gatshëm që të intervenoj dhe brenda orës të jetë stafi në ambientin e Aeroportit”, theksoi ai.

Se kur do të kthehet normalizimi në Aeroportin e Prishtinës, Gashi thotë se ende nuk dihet, por që shpreson që edhe Gjermania të marrë vendimin e njëjtë si Zvicra për heqjen e detyrimit për karantinim për qytetarët e kthyer nga Kosova.

“Ne si Aeroport marrim shumë pyetje se kur do të fillojë së funksionuari normalisht. Ne jemi duke pritur, s’kemi asgjë zyrtare. Vlen të ceket rasti i Zvicrës i cili lehtësoi masat për të gjithë udhëtarët të cilët fluturojnë për në Zvicër, të cilët nuk detyrohen që të hyjnë në karantinë, masë kjo që është aplikuar deri tani dhe shpresojmë që të njëjtën politikë ta përcjellin edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, sidomos Gjermania”, potencoi Gashi.

Ai tha se aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ka funksionuar në bazë të rekomandimeve nga institucionet relevante për menaxhimin e pandemisë, si Ministria e Infrastrukturës, IKSHPK-ja dhe MSH-ja, ndërsa theksoi se janë marrë masa shtesë për mbrojtjen e shëndetit të udhëtarëve.

Exit mobile version