Pasditen e 29 dhjetorit nisi heqja e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës. Për gati tri javë, grupe serbësh mbajtën të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Largimi i bllokadave nisi pas një takimi që mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës.
Ndërsa qytetarët kanë ndjenja të përziera pas heqjes së barrikadave të ngritura në veri të Kosovës.
“Për heqjen e barrikadave, vendimi është i mirë. Është i mirëpritur nga të gjithë qytetarët, por varet se çfarë do të ndodhë pas tërheqjes. Nuk po flitet mirë”, tha Nazif Hasani nga Mitrovica e jugut.
“Pala serbe nuk qëndroi deri në fund. I ka tërhequr barrikadat edhe pse nuk janë përmbushur 80 për qind e kushteve që janë paraparë. Pra një tjetër lëshim i madh nga pala serbe dhe gjithçka që kemi pritur”, thotë një qytetar serb, për REL.
Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.
Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.
Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiq u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.
Disa nga qytetarët serbë të Mitrovicës veriore thanë se mirëpriten vendimin për heqjen e barrikadave, që kishin bllokuar rrugët drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Mendoj se tash është e lirë për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe mendoj se më në fund ka ardhur koha të jetojmë normalisht, që të gjithë qytetarët të jetojnë sit ë duan sipas vullnetit të tyre. Kjo për mua, mund të jetë përfundimisht demokraci”, thotë Bojan Temoviq.
Aktivisti Verolub Petroniq nga Qendra Humane në veri të Mitrovicës thotë se komuniteti serb nga ky qytet nuk e ndjen se është i trajtuar drejt.
“Serbët janë të zhgënjyer. Nuk mund të shprehen se sa të zhgënjyer janë, sepse besojnë se Prishtina ka bërë një lëshim të vogël, duke liruar Pantiqin, për hir të heqjes së barrikadave. Të flijosh një ka për një kilogram mish, siç thotë populli, është shumë e kotë”, tha ai.
Dushan Radakoviq nga OJQ “Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike në Mitrovicën e Veriut”, beson se çdo vendim i marr përmes dialogut është shumë më i mirë se dhuna.