Site icon Telegrafi

Heqja e barrierave nga aspekti i hyrjes në tregun telekomunikues në Kosovë

Në disa industri rivaliteti është në suaza normale, ndërsa në disa industri tjera gjithmonë njëri konkurrent duhet të sulmoj tjetrin në mënyrë që të mbijetojë. Ky rivalitet ekziston në mes të sektorit publik dhe ati privat,në mes të bizneseve të vogla dhe të mesme,si dhe ndaj atyre të mëdha. Por duhet dalluar se:cilët janë konkurrentët kryesor, mbi çfarë baze ata konkurrojnë, cilët janë konkurrentët e ardhshëm potencial,cilat janë përparësitë apo barrierat për depërtimin e konkurrentëve të rinj.

Rivalitet shumë i theksuar shihet edhe në industrinë e telekomunikacionit si sektori shërbyes më i rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Hyrësit e rinj janë si kërcënim për bizneset ekzistuese, shkalla e këtyre kërcënimeve të reja është në varësi të barrierave të hyrjes dhe kundërveprimit të operatorëve ekzistues. Njëra nga barrierat më të forta në industri është legjislacioni dhe kërkesat për kapital. Mirëpo edhe pse korniza e tanishme ligjore dhe rregullatore krijon kushte për liberalizim të tregut dhe rregullim të tarifave të operatorëve, megjithatë ky regjim ka barriera.

Rekomandimi për Kosovën nga aspekti i heqjes së barrierave për hyrje në treg është se duhet të bëhet zvogëlimi i tarifave të autorizimeve dhe licencimeve, tarifa këto që janë më të lartat në Evropë. Literatura ekonomike,por edhe praktika ka treguar se në tregjet ku numri i licencave është i pakufizuar,mbajtja e tarifave në nivel të lartë si për tarifat fillestare dhe ato të vazhdueshme nga qarkullimi vjetor, mund të shërbejë si pengesë rregullatore për hyrje në treg.

Për më tepër, kostoja e barrierave rregullatore krijon një dysheme artificiale të çmimeve për të gjithë konkurrentët, që nga ana tjetër, çon në çmime më të larta dhe humbje të mirëqenies së konsumatorit. Këto përfundime dalin nga propozimi që konkurrenca nxit risi dhe efikasitet, ndërsa kompanitë në tregjet më të përqendruar janë më të ngadalshme në investimin dhe përmirësimin e operimeve.

Edhe teorikisht dhe praktikisht, eliminimi i barrierave për hyrje në treg ka efekt të përgjithshëm pozitiv në risitë dhe rritjen e produktivitetit në një ekonomi.

Aty ku pengesa është aq e lartë sa për të shërbyer si dekurajim i plotë për hyrje,hyrja do të shmanget dhe përqendrimi i tregut ose do të mbahet ose do të reduktohet në një ritëm shumë të ngadalshëm. Pra në qoftë se një operator i ri për hyrje në treg është i obliguar që të paguaj një tarifë të lartë fillestare të licencës pa marrë parasysh a është paguar si shumë e vetme apo në këste, do të kalojë nëpër një periudhë të vështirë dhe më të gjatë para se të jetë në gjendje për të arritur një përqindje të qëndrueshme të tregut në raport me operatorin dominant. Andaj rekomandojmë që në Kosovë të promovohet qasja e kostove më të ulëta administrative gjatë procesit të autorizimeve dhe licencimit të operatorëve të shërbimeve telekomunikuese.

Zvogëlimi i barrierave për hyrje në treg dhe vetëpërmbajtja nga detyrimet e panevojshme rregullatore, ju mundëson investitorëve potencialë privatë iniciativë për të investuar.

Në ndërmarrjen e këtyre hapave dhe realizimin e këtyre qëllimeve, rregullatori duhet të pres që operatori dominant në mënyre të vrazhdë dhe shpesh do të ju kundërvihet vendimeve që e hapin tregun për konkurrencë.

Exit mobile version