Thierry Henry ka folur me përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Egjiptit rreth mundësisë së angazhimit të tij, pohon një agjent i përfshirë në bisedime mes palëve.
Nader El-Sayed, ish-portieri Zamalek, i cili tani punon si agjent i sportistëve thotë se ka pasur një takim në Londër me përfaqësuesin e francezit dhe përfaqësuesin e bordit të egjiptasve, Hazem Emam.
El-Sayed pretendon se ylli i Arsenalit është duke pritur që të mësojë më shumë rreth planeve të Egjiptit për zhvillimin e ekipit përpara se të vendosë nëse do të pranojë ofertën.
“Ne patëm një takim me agjentin e Thierry Henryt në Londër dhe Hazem Emam ishte i pranishëm. Henry po pret projektin e EFA-s për ekipin përpara se të vendosë rreth ofertës, përveç aspektit ekonomik”, tha ai për mediat e vendore.
Henry ka punuar si ndihmëstrajner i Roberto Martinezit te Belgjika që nga viti 2016, por kërkon që të marr drejtimin e ndonjë skuadre apo kombëtare.
Ai u largua nga roli i një eksperti televiziv këtë muaj dhe u lidh me punën e menaxherit të Aston Villas, edhe pse klubi i Championship kishte vendosur ta mbështesë shefin e tanishëm, Steve Bruce.
Egjipti është pa trajner që kur Hector Cuper u largua nga posti në muajin qershor, ku afrikanët nuk arritën ta kalonin fazën grupore të Kupës së Botës në Rusi. /Telegrafi/