Site icon Telegrafi

Hendeku i madh mes pagave në sektorin publik dhe privat, kërkohen lëvizje (Video)

Me miratimin e projektligjit për pagat, është krijuar një hendek i madh mes pagave në sektorin publik dhe atij privat. Sipas njohësve të ekonomisë është e vështirë të bëhet një balanc duke e pasur parasysh papunësinë e madhe. Ndërkaq  nga pushteti aktual thuhet se është një iniciativë për zgjidhjen e kësaj çështje.

Ndryshimet në ligjin për pagat i cili u votua  para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës kanë krijuar një hendek mes sektorit publik dhe privat. Megjithatë profesori i ekonomisë Sejdi Rexhepi, thotë se kushtet e punëtorëve duhet të inspektohen, e balancimin i këtyre sektorëve është i vështirë për shkak të papunësisë së madhe.

“Bizneset duhet t’i paguajnë punëtorët në bazë të performancës dhe kushteve që përcakton kërkesa. Mirëpo, tek ne performanca dhe kërkesa e tregut deformohet për shkak të papunësisë së madhe. Dhe meqë ka papunësi të madhe, oferta e punës është shumë e madhe, prandaj edhe shpërblimi deformohet”, deklaroi Sejdi Rexhepi.

Rexhepi po ashtu shton se Sindikata e këtij sektori  privat duhet të ndërmarrë veprime të guximshme në mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ndërkaq deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, e cila po ashtu është pjesë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, thotë se qeveria duhet të krijoj politika të veçanta për të  mbështetur bizneset, në mënyrë që të ndikoj edhe tek pagat e punëtorëve.

“Është e rëndësishme që të kemi politika të mirëfillta, të cilat e e mundësojnë zhvillimin e vendit, ku me anë të këtyre politikave dhe subvencioneve do të krijohej edhe mundësia e arritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët”, deklaroi deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj  tha se është një iniciativë që të zgjidhet çështja e pagave dhe e problemeve  të tjera në  sektorin privat.

“Ky është lajm i keq për sektorin privat, por ne urgjentisht duhet të sjellim një ligj për sektorin privat. Këto ditë është një iniciativë që të sillet një ligj për çështjen e pagave në sektorin privat”, kishte deklaruar deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.

Ky projektligj ka ngjallur pakënaqësi të mëdha edhe përbrenda punonjësve në sektorin publik. Disa sindikata madje i kanë bërë thirrje presidentit Thaçi që të mos e dekretojë një ligj të tillë./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Kronika nga minuta 20:05 në videon e mësipërme.

Exit mobile version