Njëra prej lojtareve kryesore të Kosovës, Arlinda Hajdari, ka pësuar lëndim serioz në ndeshjen e të enjtes së kaluar ndaj Qipros. Ajo ishte e pandalshme në atë takim duke shënuar shtatë gola nga shtatë tentime. U shpall më e mira në fitoren 30-21.
Por, në pjesën e dytë, 19-vjeçarja që bën karrierë në elitën e Danimarkës, pësoi lëndim serioz të gjurit dhe nuk mundi të ndihmojë skuadrën në ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Portugalisë, ashtu që i ka përkrahur bashkëlojtaret nga tribuna.
Arlinda tashmë është kthyer në Danimarkë, ndërsa po pret që t’i caktohet termini për operim në gju. Operimi është i domosdoshëm, ndërsa faza e rikuperimit do të zgjatë prej nëntë deri në 12 muaj.
Arlinda po ndihet më mirë dhe nuk ka më dhimbje në gju. Por, lëndimi i saj erdhi në momentin më të keq, kur po kalonte formë vërtetë të lartë.
Hendbollistja ka këputur ligamentin e përparmë kryqëzor, ndërsa ka zgjatje të ligamentit anësor të brendshëm.
“FHK-ja i dëshiron shërim të shpejtë dhe të suksesshëm Arlindës”, thuhet në njoftim.