Hendbollisti kroat Denis Tot ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare në spitalin e Shkupit si pasojë e lëndimeve që ka marrë natën mes së mërkurës dhe të enjtes.
Ai është pranuar në spitalin e Shkupit me lëndime të rënda dhe pa ndjenja.
Mjekët luftuan me orë të tëra për jetën e tij, por nuk arritën ta shpëtonin.
Për momentin nuk dihet se çfarë ka ndodhur gjatë natës, pasi lajmet që vijnë nga Maqedonia e Veriut vijnë me informacione kontradiktore.
Kështu shkruajnë edhe mediat kroate që po merren me rastin.
Fillimisht u tha se lojtari u rrah në një klub nate, ku u postua edhe një video, por ajo më pas u fshi për të mbuluar gjurmët. Mjekët maqedonas konstatuan se në trupin e Tot nuk kishte shenja dhune dhe se ka mundësi të jetë rrëzuar dhe goditur.
Tot ka bërë karrierë në Kroaci, Austri dhe Spanjë. /Telegrafi/