Të hënën në ditën e parë të turneut, Kosova U-18 e mposhti ekipin nga Kuvajti, Al Salmiya me rezultatin 15:12.Fitore në ditën e parë shënoi edhe Përfaqësuesja U-16 e Kosovës, që e mposhti ekipin hungarez Szentendrei me rezultatin 22:17.
Kosova U-18 në ndeshje me ekipin nga Kuvajti është udhëhequr nga Egzon Gjuka që shënoi shumicën e golave – gjithsej tetë. Sipas një njoftimi të Federatës së Hendbollit të Kosovës, fitorja ishte e vështirë, ashtu si edhe vetë loja, pasi kuvajtianët nuk kanë zgjedhur mënyrë për të ndalur hendbollistët kosovarë.
Fitorja e U-16 ishte pak më e thellë, me pesë gola dallim. Me lojë të mirë te U-16 janë dalluar Jon Muqolli me 11 gola, Alban Haziri me shtatë e Besnik Rexhepi me dy gola. Nga një gol kanë realizuar Besian Abazi e Rinor Maliqi.
Dy ekipet e Kosovës ndeshjet e radhës i luajnë të martën. U-18 bën pjesë në grupin A, ku pos ekipit nga Kuvajti garojnë edhe dy ekipe nga Hungaria dhe një nga Austria. Ndërkohë, U-16 është pjesë e grupit F, së bashku me dy ekipe hungareze dhe një ekip austriak, njofton Koha.
Kosova rregullisht paraqitet në "Cell Cup" që njihet si festival hendbolli për të rinj. Qindra ekipe garojnë në të dy konkurrencat në pesë grupmosha të ndryshme, prej U-18 deri në U-10. Kosova këtë vit garon vetëm me U-18 e U-16. /Telegrafi/