Klubi gjakovar i hendbollisteve, Shqiponja, është mposhtur thellë nga skuadra spanjolle Rocasa Gran Canaria, me shifrat 38:23. Ndeshja e luajtur në Gjakovë para rreth 400 shikuesve ishte e para e një të tetës së finales së Challenge Cup, që është niveli i tretë i garave evropiane.
Ndeshja e kthimit do të luhet më 17 janar në Spanjë, nëse Shqiponjës i lejohet hyrja në këtë vend.
Shqiponja këtë edicion ka debutuar në gara evropiane, ndërsa bëri histori kur në rrethin e tretë eliminoi Pelisterin e Maqedonisë.
Kundër spanjolleve, hendbollistet e Shqiponjës nisën mirë, por nuk ia dolën të shmangun humbjen e thellë. Shqiponja në këtë ndeshje është paraqitur e përforcuar me disa hendbolliste të skuadrave të tjera kosovare. Belma Beba që u huazua nga Kastrioti ishte më efikasja me 11 gola. Nga katër gola i shënuan Albulena Kelmendi e Arlinda Krasniqi.
Rocasa Gran Canaria prin në kampionatin spanjoll.
"Të gjithë e dimë forcën e Spanjës në sport. E dimë po ashtu nivelin e hendbollit që luhet në atë vend dhe nivelin e hendbollit në Kosovë. Nuk mund të them që e kemi dhënë maksimumin, por edhe me maksimumin e secilës nuk besoj që do të vinim deri te fitorja. Por të paktën nuk do të pësonim kaq thellë. Në fillim rezultati ishte i ngushtë, më pas diferenca u rrit shumë", ka thënë Beba, të dielën.