Site icon Telegrafi

Hendbollistët e Prishtinës në bojkot

Skuadra e Prishtinës në hendboll tek meshkujt ka pasur t’i fillojë stërvitjet të enjten. Por, lojtarët kanë hyrë në bojkot për shkak të borxhit të klubit ndaj tyre. Borxhi varet prej lojtari në lojtar. Disa hendbollistëve u kanë borxh deri në pesë muaj. Kjo ishte arsyeja që ata nuk filluan stërvitjen të enjten dhe janë të vendosur se pa u paguar nuk do të fillojnë.

Të gjithë lojtarët u tubuan në kafenë ‘Blu Sky’ në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ku u mundua t’i bind edhe kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini. Por, lojtarët nuk u bindën as nga trajneri i tyre Taib Kabashi.

Ky i fundit shprehet se hendbollistët po ‘luftojnë’ për kushte që fatkeqësisht iu mungojnë. “Që 14 vjet pas luftës në Kosovë asnjëherë nuk kam munguar në stërvitje si trajner. Iu kam thënë lojtarëve se duhet të përgatiten sa më mirë për ndeshjen me Rumaninë. I kuptoj plotësisht ata. Hendbollistët po ‘luftojnë’ për kushte sa më të mira, por duhet të stërviten që të jemi sa më të gatshëm. Kryesia është duke punuar për t’i përmbushur premtimet e tyre. Ata kanë premtuar se do t’i shlyejnë obligimet deri më 1 shtator”, deklaroi Kabashi pas mbledhjes me lojtarë.

Sipas tij Prishtina do të organizohet për të marrë pjesë në turneun që i kanë ftuar në Vushtrri këtë fundjavë. “Ne do të organizohemi dhe do të marrim pjesë. Mos stërvitja e Prishtinës ndikon edhe në Përfaqësuesen e Kosovës. Unë kam planifikuar që nga e dita e enjte t’i fillojmë stërvitjet. Shpresoj se do të jemi të gatshëm për sfidën ndaj rumunëve”, deklaroi kryetrajneri i Përfaqësues së Kosovës në hendboll.

Lojtarët e vendosur për bojkot

Në emër të lojtarëve foli kapiteni Ylber Mjeku. Ai thotë se gjendja në klubin prishtinas është e mjerueshme.

“Gjendja është shumë e rëndë. Ne hendbollistët kemi vendosur njëzëri që të hymë në bojkot për shkak të obligimeve ndaj neve. Borxhi është i madh dhe dallon nga lojtari në lojtar. Kryesia ka premtuar se do t’i shlyejë obligimet, por ne jemi të vendosur. Në momentin që i shlyejnë obligimet ne do të rikthehemi në stërvitje”, u shpreh Mjeku. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version