Site icon Telegrafi

Hendbollistet e Çairit në mesin e 16 më të mirave të Kupës EHF

Hendbollistet e WHC Çair u kualifikua në fazën e 16-të të Kupës EHF në hendboll, pasi ishin më të mirë se ekipi portugez Colegio de Gaia në dy ndeshjet, njofton Telegrafi.

Skuadra e hendbollit nga Çairi ka arritur një sukses historik duke siguruar kualifikimin në fazën e 16-të të Kupës EHF, pasi triumfuan ndaj ekipit portugez Colegio de Gaia në dy ndeshjet e zhvilluara në sallën “Avtokomandë” në Shkup.

Në ndeshjen e parë, ku Çairi ishte “mysafir”, vashat triumfuan me rezultat 25-29, ndërsa sot konfirmuan se ishin kundërshtar më i mirë se portugezet duke fituar me rezultat 28-26. Përkushtimi dhe loja e shkëlqyer e treguar nga skuadra e trajnerit Basri Latifi dëshmuan se Çairi ishte kundërshtari më i mirë në këtë përballje.

Ndeshja e sotme u karakterizua nga një epërsi dominuese në pjesën e parë, ku Çairi shkoi në pushim me avantazhin 13-9. Në pjesën e dytë, hendbollistet nga Çairi arritën një diferencë mbresëlënëse prej tetë golash (24-16), duke siguruar një fund të qetë me dy gola diferencë, të mjaftueshme për kualifikim.

Stefanija Gjorgjievska shkëlqeu me një paraqitje fantastike, duke realizuar dhjetë gola nga 12 tentime, ndërsa Teodora Dukoska kontribuoi me shtatë gola të rëndësishëm.

Kualifikimi në mesin e 16 skuadrave më të mira në këtë garë është një arritje e re historike për ekipin nga Çairi që tregon përkushtimin dhe angazhimin maksimal të gjithë stafit dhe vashave që me plot dinjitet po përfaqësojnë Maqedoninë e veriut në garat evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version