Site icon Telegrafi

Hendboll: Prishtina shpreson në rikthim, Besa në kërkim të titullit

(Foto: kosovahandball.info)

Sot (e martë) nga ora 19:30 luhet ndeshja e dytë finale e ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet takohen Prishtina dhe Besa Famgas.

Besa Famgas është kampione në fuqi, kurse i ka fituar të gjitha ndeshjet e këtij kampionati. Ndeshjen e parë finale të luajtur të shtunën në Pejë, Besa Famgas e fitoi bindshëm, 38-26.

Ekipit pejan tani i duhet edhe një fitore apo një barazim për të siguruar titullin e ri të kampionit dhe për të vazhduar dominimin e plotë në Superligë.

Te Prishtina kanë premtuar angazhim maksimal në tentim për të mposhtur Besën dhe kështu për të siguruar ndeshjen e tretë të finales së ‘play-offit’. Prishtina në kampionat kishte dy disfata, ndërsa e humbi edhe ndeshjen e parë gjysmëfinale të ‘play-offit’. Por, më pas fitoi edhe më thellë ndaj Trepçës në Mitrovicë dhe kështu kaloi në finale.

Në ndeshjen e parë finale, Besa herët bëri shkëputje në rezultat dhe mbajti vazhdimisht epërsi bindëse.

Ndeshja luhet pa praninë e shikuesve dhe duke respektuar të gjitha masat në luftë ndaj COVID-19.

Exit mobile version