Telegrafi

Hendboll: Prishtina fiton ndaj Shqiponjës me gola në çastet e fundit

(Foto: kosovahandball.info)

Hendbollistet e Prishtinës janë kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës. Pas humbjes nga Ferizaj, Prishtina të dielën mposhti Shqiponjën e Gjakovës me rezultat 31-29. Ndeshja i ka takuar xhiros së 11-të të kampionatit të Kosovës.

Ndeshja ishte thuajse e barabartë, ndërsa Shqiponja në një moment kishte epërsi prej pesë golash (16-11). Në 15 minutat e fundit të ndeshjes, Prishtina ishte në epërsi të lehtë, por gjakovaret ia dolën të barazojnë rezultatin në 29-29 në minutën e 59-të.

Por, më pas Alma Nivokazi shënoi dy gola për fitoren 31-29. Nivokazi u dallua te Prishtina me nëntë gola. Nga katër i kishin Ardiana Llapashtica, Melike Ipçi dhe Eduarta Kurteshi.

Diellza Nuza i shënoi dhjetë gola për Shqiponjën, derisa tetë herë realizoi Alba Bardhi.

Pikë të rëndësishme fitoi edhe Samadrexha, që e mposhti Vëllaznimin me rezultat 30-24. Ndërkohë Ferizaj ka fituar bindshëm ndaj Dukagjinit në Klinë.