Telegrafi

Hendboll: Prishtina fitoi përballjen me Vëllaznimin

(Foto: kosovahandball.info)

Ndonëse ka nisur mirë ndeshjen, Vëllaznimi nuk ia doli të bëj befasi në kryeqytet. Të hënën mbrëma, Prishtina fitoi ndaj Vëllaznimit të Gjakovës me rezultat 35-29. Ishte kjo ndeshje e javës së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Gjakovarëve u takoi fillimi i ndeshjes. Krijuan epërsi deri në tri gola, kurse në avantazh ishin deri në minutën e 15-të.

Më pas Prishtina mori kontrollin në lojë dhe pjesa e parë përfundoi 18:14. Në pjesën e dytë mysafirët më së shumti u afruan në tri gola.

Alot Agon Bajqinovci e Lulzim Shabani ishin më efikasët te Prishtina. Bajqinovci i realizoi 10 gola, ndërsa Shabani 8. Kapiteni Oltion Beshiri shtoi 7 gola.

Ardi Halili realizoi 8 gola për Vëllaznimin. 5 i kishte Florian Rexha, ndërsa nga 4 i shënuan Egzon Lluka, Mali Luzha dhe Arbër Neziri.