Prishtina e Besa Famgas takohen nesër (mërkurë) nga ora 19:15 në ndeshjen e dytë finale të ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve.
Ndeshja luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, bëhet e ditur në faqen e FHK-së.
Skuadrës pejane i duhet një fitore apo një barazim për t’u shpallur kampione për edicionin 2020/2021.
Pejanët kanë paralajmëruar se udhëtojnë për fitore dhe për ta mbyllur çështjen e kampionit. Besa i ka fituar të gjitha ndeshjet e këtij edicioni.
Por, Prishtina ka plane tjera. Pas paraqitjes së mirë në pjesën e dytë të ndeshjes së parë, te Prishtina janë trimëruar dhe kërkojnë fitore në kryeqytet.
Në rast të fitores së Prishtinës, atëherë titulli i kampionit do të vendosej në ndeshjen e tretë që në fundjavë do të luhej në Pejë.
Besa Famgas e ka fituar finalen e parë me rezultatin 33-29. Por, ndeshja ishte e hapur deri në fund. Ishte ndeshja më e fortë e këtij kampionati.