Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll, do ta ketë tubimin e saj të radhës të premten në Banjën e Pejës. Hendbollistët e përzgjedhur nga Alfred Llazari (përzgjedhës) dhe kryetrajneri i Përfaqësueses A, Taib Kabashi, do të tubohen në ‘Hotel Park’ në Banjë të Pejës, të premten në orën 12.00.
Në emëroren e përzgjedhësit Llazari janë edhe dy hendbollistë të huaj, portieri maqedonas Daniel Dupjaçanec dhe kroati Goran Biljka, të dy anëtarë të Besa Famiglias. Rreth mundësisë së këtyre dy hendbollistëve për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci i tha gazetës SportPlus se me Biljakan janë duke biseduar në mënyrë që ai t’i bashkohet Përfaqësueses sonë, përderisa Dupjaçanec duhet të presë dekretimin për marene pasaportës së Kosovës.
“Ne jemi duke biseduar me Goran Biljakan në mënyrë që ai t’i bashkohet përfaqësueses sonë, përderisa Dupjaçanec duhet të presë për dekretim në mënyrë që ai të pajiset me pasaportën e shtetit tonë”, tha Gjinovci.
Përndryshe, Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese kundër Rumanisë, që zhvillohet më 29 tetor në Bukuresht, ndërsa ndeshja e kthimit është në Prishtinë më 1 nëntor.
Përfaqësuesja e Kosovës për dhjetë ditë rresht do t’i zhvillojë përgatitjet në Banjën e Pejës, ku do të punohet në pjesën e përgatitjeve bazike dhe në të cilën do të marrin pjesë 20-22 hendbollistë, kryesisht që luajnë në Kampionatin e Kosovës.
Ndërkohë hendbollistët që e zhvillojnë aktivitetin e tyre jashtë Kosovës, kanë obligime ndaj klubeve, janë të liruar nga kjo fazë përgatitore, mirëpo shtabi teknik shpreson që në grumbullimin e dytë i cili parashikohet të mbahet nga data 14- 27 tetor 2014, të jenë të gjithë së bashku në përbërje komplete, kur edhe finalizohet Përfaqësuesja. /Telegrafi/